Pas grusht shtetit ushtarak në Mianmar, të kryer me pretendimin se në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 janë bërë mashtrime, nga detyra janë shkarkuar 24 ministra dhe ndihmësit e tyre. Në njoftimin e televizionit të ushtrisë së Mianmarit, Myawaddy, administrata ushtarake ka shkarkuar nga detyra ministrat e qeverisë së ish-presidentit Win Myint dhe se në vend të tyre në fazën e parë janë emëruar 11 ministra të rinj.
Në mesin e ministrive ku janë emëruar ministra janë ajo e Thesarit, Shëndetësisë, Informacionit, Punëve të Jashtme, Mbrojtjes, Sigurisë Kufitare dhe Punëve të Brendshme.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Në njoftimin nga media e ushtrisë së Mianmarit thuhet se pas arrestimeve të bëra më 1 shkurt, janë konfirmuar pretendimet rreth grusht shtetit ushtarak, duke njoftuar se vendi tani është nën drejtimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing.
Grusht shteti është kryer për shkak të pretendimeve se janë bërë mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit 2020. Pas puçit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ndërsa vendi do të qeveriset nga administrata ushtarake për një vit.
Komisioni zgjedhor më 29 janar përgënjeshtroi pretendimet e ushtrisë se janë bërë mashtrime në zgjedhjet që përfunduan me fitoren e partisë së Aung San Suu Kyi në pushtet. Ushtria në vend mbështet partinë në opozitë Partia e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).









