Pas Macronit, edhe presidenti turk Erdogan “viktimë” e autokolonës së Trump

Kaos në rrugët e Nju Jorkut gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku masa të rrepta sigurie për lëvizjen e autokolonës së presidentit amerikan Donald Trump detyruan liderë të tjerë botërorë të presin, mes tyre edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Në pamje të publikuara, Erdogan shihet dukshëm i irrituar, teksa qëndron në këmbë për disa minuta, në pritje që të përfundojë lëvizja e autokolonës së Trump. Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti turk nuk fshehu pakënaqësinë e tij dhe nuk pati asnjë prirje për të reaguar me humor ndaj situatës.

Krejt ndryshe ishte reagimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ndodhej në të njëjtën situatë një natë më parë. Gjatë daljes nga selia e OKB-së pas fjalimit të tij, në të cilin njoftoi edhe vendimin historik për njohjen e shtetit të Palestinës nga Franca, Macron u përball me bllokimin total të qarkullimit për shkak të autokolonës së Trump.

Sipas dëshmitarëve, një polic i shpjegoi presidentit francez:

“Na ndjeni, zoti president, gjithçka është e mbyllur, qarkullimi është ndërprerë përkohësisht”.

Megjithatë, Macron reagoi me sportivitet. Ai mori në telefon presidentin amerikan dhe u dëgjua duke i thënë me humor:

“Mendo pak, jam bllokuar në rrugë sepse gjithçka është ndalur për ty”.

Ngjarja, e cila ndodhi në një prej rrugëve kryesore pranë OKB-së, është komentuar gjerësisht si një moment simbolik për mënyrën se si liderët ndërkombëtarë përballen me protokollet e rrepta të sigurisë në ngjarje të nivelit të lartë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu