Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përgjatë një deklarate për shtyp jashtë selisë së PD-së, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestë ditën e djeshme.
Kryedemokrati Basha tha se dita e djeshme ishte betejë madhështore e fituar nga shqiptarët.
“Falenderoj qindra mijëra vetë që morën pjesë në protestë. Mos ta pranojnë këtë të keqe, por të ngrihen kundër saj. Të krijojmë një qeveri antimafia që shkëput lidhjen e politikës me krimin, dhe të bëjmë reformën zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Dita e djeshme ishte betejë madhështore e fituar nga shqiptarët e ngritur për të refuzuar qeverinë e bandave dhe krimit. Fitorja e kësaj beteje është ogur i mirë për luftën e përditshme të opozitës.
Ne do ta vazhdojmë këtë luftë me të gjitha format në çdo hapësirë, në rrugë e sheshe bashkë me qytetarët, pa të cilët nuk mund të ketë Shqipëri evropiane.
Shqiptarët dhanë një mesazh revolte, refuzimi, mospranimi me qeverinë e krimit, por dhe një mesazh shprese se Shqipëria mund, duhet dhe do të bëhet një vend evropian me drejtësi të barabartë për të gjithë, që i shërben njerëzve dhe jo oligarkëve të krimit.
Opozita do të vazhdojë angazhimin deri në realizimin e këtij qëllimi afatshkurtër që është qeveria antimafia dhe reformën zgjedhore.
Ju falenderoj të gjithëve që me bashkimin tuaj dje hapët një horizont shprese”, tha Basha.










