Teksa fluturonte me Air Force One nga Mar-a-Lago drejt Uashingtonit, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një sërë deklaratash të forta për gazetarët, duke prekur çështje të sigurisë, politikës së jashtme dhe interesave strategjike të SHBA-ve.
Presidenti amerikan gjithashtu la të kuptohet se SHBA-të mund të ndërmarrin operacione ushtarake edhe në vende të tjera të Amerikës së Jugut. Duke folur për Kolumbinë, Trump përdori gjuhë të ashpër ndaj presidentit Gustavo Petro.
“Kolumbia është shumë e sëmurë gjithashtu, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të bëjë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë,” deklaroi Trump. I pyetur nëse SHBA-të do të ndërmarrin veprime konkrete, ai u përgjigj shkurt: “Më duket mirë.”
Ndërkohë, në një intervistë për revistën The Atlantic, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë “absolutisht” nevojë për Groenlandën, ishull që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cila theksoi se ideja është e papranueshme. “Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin Groenlandën,” u shpreh ajo në një deklaratë zyrtare.
Deklaratat e fundit të Trump pritet të rrisin tensionet diplomatike dhe të nxisin reagime të forta si në Amerikën Latine, ashtu edhe në Evropë.










