Problemet te Barcelona nuk kanë të ndalur. Pas një fillimi të fortë sezonal nën drejtimin e Hansi Flick, klubi katalanas ka marrë një tjetër goditje: Pedri i është shtuar listës së të dëmtuarve.
Mesfushori nga Ishujt Kanarie, i vetmi që kishte luajtur në të 13 ndeshjet e këtij sezoni (10 në La Liga dhe 3 në Champions League), ka pësuar një çarje në bicepsin femoral të këmbës së majtë dhe do të mungojë për disa javë.
Barça njoftoi zyrtarisht pasditen e së mërkurës për dëmtimin, duke konfirmuar se 22-vjeçari do të qëndrojë jashtë fushave të paktën deri pas pauzës së përfaqësueseve.
Pedri nuk mori pjesë në seancën e fundit stërvitore, duke qëndruar në palestër, ndërsa testet mjekësore zbuluan dëmtimin që e detyron të pushojë.
Kjo është një humbje e madhe për Hansi Flick, që mbetet pa lojtarin më krijues në mesfushë.
Pedri kishte qenë figura qendrore në sistemin e gjermanit, një lojtar kyç në ndërtimin e lojës dhe në balancimin mes mbrojtjes dhe sulmit.
Në ‘El Clásico’-n e fundit kundër Real Madridit, në “Santiago Bernabéu”, Pedri e mbylli ndeshjen i rraskapitur.
Ai dha maksimumin në çdo cep të fushës, duke ndihmuar edhe në mbrojtje, dhe për herë të parë në karrierën e tij profesionale u përjashtua me karton të kuq, pas dy të verdhave.
Ajo lodhje e tepruar, sipas mjekëve të klubit, ka qenë një nga shkaqet që çuan në dëmtimin e tij muskulor.
Mesfushori spanjoll do të humbasë dy ndeshjet e radhës në La Liga, kundër Elches dhe Celtës, si dhe sfidën e Champions League ndaj Club Brugge.
Po ashtu, ai nuk do të mund të bashkohet me kombëtaren e Luis de la Fuente, e cila do të luajë më 15 nëntor ndaj Gjeorgjisë dhe më 18 nëntor ndaj Turqisë.
Ironikisht, dëmtimi i Pedrit vjen në një moment kur në ekip po rikthehen Robert Lewandowski dhe Dani Olmo, të cilët kanë rifilluar stërvitjet me grupin dhe pritet të jenë gati për ndeshjen e fundjavës kundër Elches.
Kështu, Flick humbet një nga gurët themelorë të mesfushës në një periudhë vendimtare të sezonit.
Pedri, që sezonin e kaluar mungoi vetëm për shkak të një gripi të shkurtër, do të duhet të përballojë tani një tjetër periudhë rikuperimi dhe Barcelona përballet me sfidën e madhe të mbajtjes në formë të ‘yjeve’ të saj më të rëndësishëm.










