Pendarovski: Maqedonia në NATO, vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese

Përveç marrëveshjes me emrin nuk ka asnjë problem apo një grup problemesh që mund të na pengojë drejt anëtarësimit në NATO që do të thotë se kjo varet vetëm nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës. Nëse nga mesi i janarit finalizohen ndryshimet kushtetuese, në shkurt me siguri do të nënshkruajmë protokoll me Aleancën me çka anëtarësia jonë shkon në ratifikim në Parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të NATO-s.

Këtë e theksoi koordinatori kombëtar për NATO-n, Stevo Pendarovski në debatin e sotëm në Tetovë që me titull “Maqedonia në NATO, sfidat pas marrjes së ftesës” e organizoi sektori për Mbrojtjes dhe Siguri në kuadër të Aleancës së Shqiptarëve.

“Maqedonia i ka plotësuar kushtet për të hyrë në NATO që në vitin 2008 pasi në komunikatën e NATO-s prej samitit të Aleancës në Bukuresht atë vit thuhet se kandidati i ka plotësuar të gjitha kushtet përveç marrëveshjes rreth emrit me Greqinë. Ne jemi kandidati që është stërzgjatur më shumë, pasi për 19 vjet e kemi statusin e kandidatit për NATO siç është Turqia për hyrje në BE. Ne jemi kandidati më i përgatitur në historinë e Aleancës, pasi i kemi kaluar 19 cikle në programin vjetor kombëtar”, deklaroi Pendarovski.

Edhe për kryetarin e Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë dhe këshilltar i kryeministrit për NATO-n, Ismet Ramadani nuk ka dilema se Maqedonia definitivisht do të bëhet anëtare e Aleancës.

“Negociatat inkuadruese tashmë kanë përfunduar dhe tani pritet të kalojnë ndryshimet kushtetuese lidhur me marrëveshjen e Greqisë. Më pas kjo do të shkojë në parlamentet e vendeve anëtare në NATO në pajtim me dinamikat e tyre derisa ne nga fillimi i vitit 2019 do të ulemi në tryezë të njëjtë me këto 29 vende, por nuk do të kemi të drejtë vote deri në përfundimin e procedurës. Kështu me siguri deri në fund të vitit 2019 duhet të bëhemi anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Vlerësoj se edhe partitë dhe strukturat destruktive të këtij procesi me kohë gradualisht do ta shohin realitetin se anëtarësimi në NATO për ne është pa alternativë”, tha Ramadani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu