Shtëpia e Bardhë mori zyrtarisht propozimet e Pentagonit për të rritur luftën kundër xhihadistëve të grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri të filluar para dy vite e gjysmë, njoftoi sot një përgjegjës amerikan. “Shtëpia e Bardhë do të fillojë të analizojë rekomandimet”, theksoi ky përgjegjës amerikan.
Më 28 janar, tetë ditë pas marrjes së funksioneve, presidenti Donald Trump kishte publikuar një dekret që i jepte 30 ditë Pentagonit për të përgatitur një plan të ri që përshpejtonte fushatën kundër ISIS-it.
Detajet e këtij plani akoma nuk janë bërë publike nga mediat amerikane, ndërsa pritet qëndrimi që do të mbajë SHBA-ja në lidhje me çështjen e Sirisë, ku beteja kundër trupave rebelëve dhe ISIS ka qenë më tepër një nismë e ndërmarrë nga trupat ushtarake ruse dhe turke.
Administrata Obama pati marrë vendimin për të stopuar ndërhyrjet ushtarake. Ndërkaq presidenti Trump ka shprehur vendosmërinë për të luftuar ISIS, madje ka premtuar se së bashku me aleatët do ta zhdukë nga faqja e dheut terrorizmin islamik. Ky zotim u konfirmua dhe gjatë takimit që Trump pati disa ditë më parë me konservatorët republikanë.