Ishin zgjedhur për të çuar përpara çështje në interes të qytetarëve të Kosovës, por deputetët e legjislaturës së nëntë, për rreth 8 muaj nuk arritën të kryejnë asnjë punë.
U mblodhën në prill dhe deri në nëntor kur u shpërnda Kuvendi, shkuan në seanca që zgjatën jo më shumë se 5 minuta. Pagën bazë 1859 euro nga prilli deri në qershor e 1914 euro me rritje nga korriku i viti të kaluar, deputetët e legjislaturës së nëntë e futën në xhep për një numër përpjekjesh pak minutëshe për krijim të institucioneve.
Por jo vetëm deputetët, edhe asistentët përfituan jo pak gjatë kësaj periudhe. Kuvendi i Kosovës bëri të ditur për RTV21 se deputetët e legjislaturës së nëntë dhe asistentët e tyre i kushtuan buxhetit të shtetit mbi 2 milionë euro.
“Shuma e përgjithshme e pagave për deputetët e Legjislaturës IX të Kuvendit, për periudhën prill – tetor 2025, është 1 milionë e 371 mijë 017.46 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për stafin mbështetës politik për periudhën prill – tetor 2025 është 5 mijë 711e 30.78 euro. Numri i deputetëve që përfitojnë kompensimin kalimtar është 67”, thonë nga Kuvendi.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se e legjislatura e vitit të kaluar, përbën një nga rastet kur paraja publike është shpenzuar gabimisht duke u paguar individët që nuk kanë kryer ndonjë punë.
“Fatkeqësisht viti 2025 është i humbur për ks ne çdo aspekt ne mesin te cilëve çështja e funksionimit fe kuvendit për 8-9 muaj kemi pasur miliona eurot te ndara për pagat deputetëve te cilët marre ne tërësi nuk e di a e kane bere një orar te plote të punës prej 8 ore. Qe nga prilli dhe deri ne seancën e fundit fundit kjo përbën një nga rastet kur paraja publike jo vetëm se është shpenzuar gabimisht por se dyti janë paguar individ që se kanë kryes asnjë punë deputetët s’kanë arritur as ta arsyetojnë pjesëmarrjen e tyre në seancë”, tha Cakolli për RTV21.
Ish-diplomati dhe analisti politik, Avni Arifi, vlerëson se pagat për deputetët e 2025-tës janë mjete të shkuara kot nga buxheti i shtetit. Por sipas tij, pagat e deputetëve janë problem i vogël krahasuar më dëmet e tjera që pësoi vendi si shkak i bllokadës politike.
“Ma pare haram s’ka pasur se këto paga që u janë dhënë deputetëve përveç që s’ka bërë asgjë na kane tortuar jetën qe nëntë muaj dhe dëgjojani propagandën sidomos këtyre në që kanë fituar pushtetin këtyre që kane fitu pushtetin”, tha Arifi.
E disa ish- deputetëve duket se paga e rregullta se nuk iu mjaftuan meqë 67 prej tyre kërkuan edhe pagën kalimtare duke deklaruar si të papunë.
“Problemi më i thellë është kur një pjesë, shumica prej tyre që s’kanë pagë tjetër do të vazhdojnë të marrin pagë kalimtare për një periudhë një vjeçare pas përfundimit të mandatit edhe nëse te njëjtët s’do të certifikohen nga zgjedhjet sërish do kemi deputetë që do vazhdojnë te marrin pagë pa punuar. Kjo është e papranueshme do duhej të kodifikohej në ndryshimet e ardhme qoftë të rregullores apo akteve tjera qe ne fakt deputete duhet te paguhen vetëm pas kosntituimit dhe zgjedhjes se institucioneve”.
Deputetët e legjislaturës së nëntë nuk arritën ta ushtrojnë mandatin e tyre katër vjeçar pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë gjë e cila çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare./RTV21










