Ministria e Drejtësisë, me datë 23.05.2018 , në faqen e saj të internetit, si dhe në atë të Agjencisë për administratë, kishte shpallur konkurs internë për ngritjen në vendin e punës të 15 punëtorëve administrativ.
Në këtë konkurs kishte konkurruar edhe R.M. e cila i plotësonte të gjitha kushtet e parapara me konkurs: provimin e dhënë për jurisprodencë, më shumë se 3 vite punë si juriste, njohëse e njërës nga gjuhët që më së shumti përdoret në UE dhe njohje aktive të programeve kompjuterike për përdorim administrativ.
Por, siç duket R.M. i mungonte ‘certifikata’ më e vlefshme për pushtetarët e BDI-së: libreza e partisë së tyre. Aq më shumë kur disa nga familjarët e R.M. njihen si kritikues të ashpër të BDI-së për politikat e dëmshme ndaj shqiptarëve që i aplikonte dhe ende i aplikon BDI-ja. Gjë të cilën e dëshmon edhe ky rast, kur Ministri në dorëheqje i Drejtësisë, ngutet t’i punësoj të dëgjueshmit e partisë, duke e zbatuar deri në përpikëri parimin: nëse donë ta dëmtosh e përbuzësh popullin tënd, atëherë shkatërroja profesionistët dhe vlerat që ka dhe në vend të tyre promovoj antivlera partiake.
Në ndërkohë R. M. edhe pas 7 viteve punë në këtë Ministri mbetet bashkëpunëtore e re, që pret e përcjellë ‘profesionistët’ partiak të BDI-së që çajnë rrugë përpara. Pra 7 vite me radhë ajo punon në dikasterin për jurisprodenc dhe prokurori publike dhe nuk zgjidhet në asnjë postë të paraparë me konkurset internë si ky i fundit, ngaqë ka vite që këtë ministri e drejtojnë ministrat e BDI-së, ata që përjashtojnë çdo shqiptarë që nuk ka librezën e partisë së tyre.
Dhe ja kështu, me BDI-në e deridjeshme që punësonte vetëm shqiptarët që e përkrahnin regjimin BDI-VMRO, sot Zaevi e ndërton Maqedoninë për të gjithë, ku siç duket, ka vend vetëm për shqiptarët e BDI-së. Andaj ndoshta në mos drejtuesit e BDI-së, atëherë Zaevi – i cili e ndihmoi këtë parti që të mos shkatërrohej – duhet të tregojë se cila Maqedoni duhet të kujdeset për shqiptarët që thonë se BDI-ja është fatkeqësia më e madhe për shqiptarët e këtij vendi. Se kjo parti i shkatërron profesionistët e rinj shqiptarë dhe kundërshtarët e saj politik duke i shantazhuar ata dhe duke i detyruar o të bëhen anëtarë të saj, o të largohen nga Maqedonia.