Partitë opozitare në vend janë duke kërkuar përfshirjen e ShBA-së në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë kërkesë ata ia paraqitën edhe kryeministrit Kurti, në takimet që i zhvilluan me kryeministrin ditë më parë.
Përfshirjen e SHBA-së në dialog po e shohin të domosdoshme edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend. Profesori universitar Blerim Latifi, analisti Fitim Salihu dhe Donika Emini nga “Civikos”, flasin për rolin që duhet ta ketë SHBA në këtë proces.
Kryeministri Albin Kurti u kërkoi opozitarëve takim për të biseduar rreth procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. E ata, Kurtit nuk i shkuan duarbosh në konak. Sikurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kryeministrit i shkuan me proppzime. Kërkesa e përbashkët e të dyve ishte edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në dialogun Kosovë-Serbi.
E përfshirja e ShBA-së në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë po shihet si domosdoshmëri edhe nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Profesori universitar, Blerim Latifi ka thënë për Express, se përfshirja e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, do të ndikonte fuqishëm në dinamikën e procesit. Sipas tij, problemi i vetëm është dëshira e tyre për tu përfshirë në këtë proces.
“Sigurisht që përfshirja e ShBA-ve në procesin e dialogut Kosovë- Serbi do të ndikonte fuqishëm në dinamiken e këtij dialogu, kjo as që diskutohet, por problemi është se a duan ShBA-të ta marrin përsipër një rol aktiv në dialog. Kjo është diçka që nuk varet nga dëshirat tona. Me gjase administrata e Biden do të vazhdoj kursin e Obames, i cili ia pat lënë në dorë Bashkimit Evropian gjithë dinamiken e dialogut. Nëse veç ndodhë kjo, shpresat për një marrëveshje të afërt midis Kosovës e Serbisë, mbesin të zbehtë”, ka thënë Latifi.
Në anën tjetër, analisti Fitim Salihu ka thënë që pa përfshirjen e ShBA-së në proces, Kosova nuk ka garanci për t’i përfunduar negociatat me Serbinë. Madje Salihu theksoi se ai nuk i beson dialogut që udhëhiqet nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak.
“Mendoj që pa involvimin e ShBA-së, Kosova nuk ka garante stabile për t’i përfunduar negociatat me Serbinë. BE-ja është dëshmuar e paaftë që t’i bëjë presion Serbisë për ta njohur Kosovën. Për më tepër që, duke mos ia liberalizuar as vizat Kosovës, BE-ja e ka humbur kredibilitetin për ta facilituar e vetme këtë proces. Unë personalisht nuk i besoj një dialogu që e ndërmjetëson Mirosllavi me hartat e Millosheviqit prapa shpine”, ka thënë analisti për Express.
Në ndërkohë, Donika Emini nga organizata “Civikos”, tha, se përfshirja e ShBA-së në dialog është e domosdoshme për t’i dhënë fuqi procesit.
“Duhet të përfshihen normalisht. Përfshirja e ShBA-së në dialog vjen ose krahas asaj të BE-së ose me një rol siç ka ndodhur me ish-ambasadorin Grenell. Ka shumë gjasë që të ketë një emisar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përfshirja e tyre është e domosdoshme për t’i dhënë procesit një fuqi politike të cilën për momentin BE-ja nuk e ka, kur e dimë që disa shtete përfshirë edhe Gjermania janë në vit elektoral. Përfshirja e ShBA-së është e domosdoshme por në fakt edhe vet ShBA-në në rastin e Kosovës e kanë përmendur njohjen reciproke. Kjo deklaratë nuk ka ardhur fuqishëm nga vendet e BE-së apo nga BE-ja, siç ka ardhur nga Biden në dy letrat e tij”, ka thënë Emini.
Kryeministri, Albin Kurti, të mërkurën ka zhvilluar takim me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ku ky i fundit i ka kërkuar përfshirjen e ShBA-së në dialog.
“Pjesëmarrja e ShBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të ShBA-së në dialog nuk mund të ketë dialog. Kjo është e padiskutueshme dhe është pjesë e dokumentit që ia kemi dorëzuar kryeministrit”, ka thënë ai.
Përfshirje të ShBA-së në dialog, të martën ka kërkuar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Konsiderojmë se është tepër me rëndësi që Republika e Kosovës ta bëjë të qartë se adresa kryesore për Kosovën për sa i përket dialogut, është Ëashingtoni zyrtar dhe se cfarëdo synimi për rrëshqitje të dialogut në nivel teknik është kthim prapa”, tha Haradinaj dje pas takimit me kryeministrin Kurti.






