Pikë e përbashkët kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë

Kohëve të fundit në Komunën e Dibrës ka kërkesa të intelektualëve, shoqatave joqeveritare, por edhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, të cilët janë të mendimit se në vendkalimet kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë të ketë pika të përbashkëta kufitare mes dy shteteve. Faktikisht, është një kërkesë e cila ka të bëj me organizimin e institucioneve kompetente të të dy shteteve në një pikë kufitare të përbashkët.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Komunës Dibër, këshilltari nga radhët e BDI, Shuip Marku, parashtroi kërkesën që pikat kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë të jenë të përbashkëta. Kjo do të ishte një hap drejt Europës, ashtu siç kanë bërë edhe disa shtet të tjera të rajonit ka theksuar këshilltari Shupi Marku. Në reagimet e para ka pasur mendime se bëhet fjalë për kërkesa që duhet të dërgohen dhe realizohen nga institucionet qendrore, por këshilltari Marku thekson se çdo qytetar, e sidomos pushteti vendor dhe institucionet kanë të drejt të bëjnë kërkesa kur është në pyetje bashkëpunimi ndërkufitar dhe integrimi i Maqedonisë në Unionin Europian.

Në lidhje me këto mendime dhe kërkesa edhe në sektorin joqeveritar besohet se do të ishte shumë më mirë nëse Maqedonia dhe Shqipëria të kenë pikat e përbashkëta kufitare.

Shoqatat qytetare, por edhe popullata në Dibër është e kënaqur nga funksionimi i dy pikave doganore, e Bllatës dhe Xhepishtës. Sa i takon aktiviteteve të pikave doganore në vendkalimin kufitar Bllatë orari i punës është 24 orë dhe kryesisht ky vendkalim kufitar shfrytëzohet nga dibranët dhe banorët e tjerë të vendit, por edhe Shqipërisë për të hyrë apo për të dalë nga Shqipëria. Kur jemi te vendkalimi kufitar Xhepisht – Trebisht ka kërkesa nga banorët në të dy anët e kufirit që orari i punës i cili aktualisht është 12 të shtohet në 24 orë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu