Pompat e benzinës në Maqedoni ndalojnë shitjen para shtrenjtimit të madh nga mesnata, qytetarët të revoltuar

Para hyrjes në fuqi të çmimeve të reja të karburanteve nga mesnata, në disa pika të shitjes së derivateve në Maqedoninë e Veriut është vërejtur ndërprerje ose kufizim i shitjes së karburanteve, duke shkaktuar reagime te qytetarët, përcjell INA.

Kjo ka ndodhur me rrjetin e pompave “Makpetrol”, “Lukoil”, por edhe ato tjerat, një pjesë e vogël japin vetëm 500-1000 denarë.

Vendimi për rritjen e çmimeve është marrë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë së Veriut (KRRE). Sipas këtij vendimi, benzina EUROSUPER BS-95 do të tregtohet me 79.50 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 me 81.50 denarë, që paraqet rritje prej 5 denarësh për litër.

Rritjen më të madhe e ka pësuar dizeli, i cili shtrenjtohet me 14.5 denarë dhe arrin në 85.50 denarë për litër. Ndërkohë, vaji ekstra i lehtë për ngrohje (EL-1) është rritur me 12.5 denarë, duke arritur në 82.50 denarë për litër.

Pas publikimit të vendimit për shtrenjtimin, disa pompa të benzinës gjatë fundjavës dhe ditës së hënë kanë ndaluar furnizimin me karburant ose e kanë kufizuar shitjen. Në disa raste, karburanti është shitur vetëm në sasi të vogla, ndërsa në disa pika qytetarët janë lejuar të furnizohen vetëm deri në 500 denarë, me arsyetimin se rezervat janë shteruar.

Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët akuzojnë se disa pompa po e shfrytëzojnë situatën në prag të hyrjes në fuqi të çmimeve të reja, në dëm të konsumatorëve.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të derivateve lidhet edhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë reflektuar në rritjen e kostos së karburanteve edhe në tregun vendor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu