Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, në lidhje me lëvizjet e fundit për dialogun Kosovë-Serbi, të cilat po bëhen me ndërmjetësimin e emisarit të posaçëm të administratës së Donald Trumpit, Richard Grenell.
Me anë të kësaj letre, Pompeo ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara presin normalizimin e raporteve mes këtyre dy shteteve, në një të ardhme të afërt, duke thënë se SHBA është inkurajuar për marrëveshjet e arritura në Berlin dhe Mynih, pasi siç thotë ai, ato do të lehtësojnë investimet, turizmin dhe lidhjet tregtare me Republikën e Kosovës.
“Ne jemi të inkurajuar nga ngjarjet e fundit të cilat janë tregues i hapave drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare me Kosovës si dhe për raportet mes njerëzve. Ne jemi optimistë që Serbia dhe Kosova do të bëjnë përparime të mëtejshme për normalizim të raporteve në të ardhmen e afërt”, ka thënë Mike Pompeo në letrën e tij të shkruar për Vucicin, shkruan agjencia e lajmeve Beta.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në Mynih, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet të shfrytëzohet angazhimi aktual i administratës Trump për dialogun, duke bërë të ditur se beson që një marrëveshje përfundimtare do të ketë brenda këtij viti, gjë për të cilën nuk u shpreh njësoj homologu i tij nga Serbia, Aleksandar Vucic, i cili i tha Thaçit se arritja e marrëveshjes bazohet në realitet politik dhe në atë se sa është e gatshme Kosova për kompromis.










