Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Iran të martën në një vizitë që synon të thellojë lidhjet me vendet e rajonit si pjesë e sfidës së Moskës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës gjatë fushatës së saj të ashpër në Ukrainë, përcjell Bota Sot.
Ky është vetëm udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që kur tanket ruse u futën në vendin fqinj në shkurt. Zoti Putin do të zhvillojë bisedime me presidentin e Iranit Ebrahim Raisi dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për disa nga çështjet më të ngutshme me të cilat përballet rajoni. Kjo përfshin konfliktin në Siri dhe një propozim të mbështetur nga OKB për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron të kapërcejë kundërshtimet iraniane dhe ruse ndaj operacionit ushtarak të Turqisë në Siri. Takimi vjen gjithashtu ndërsa zoti Erdogan kërkon të finalizojë një marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas të bllokuar nga Rusia. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.
Një operacion ushtarak turk kundër militantëve kurdë në Siri pritet të jetë në krye të axhendës së Presidentit Recep Tayyip Erdogan në takimet me homologët iranianë dhe rusë në Teheran të martën.
Ushtria turke po dislokon trupa për të goditur luftëtarët kurdë të grupit YPG në Siri, për të cilët Ankaraja pretendon se janë të lidhur me kryengritësit kurdë që luftojnë Turqinë.
“Irani ka qenë mjaft i zëshëm në kundërshtimin e fushatës ushtarake turke në Siri; ndoshta Erdogani do të kërkojë ta zgjidh atje çështjen”, thotë Atilla Yesilada me organizatën Global Source Partners.
Me forcat turke që tashmë kontrollojnë një pjesë të madhe të Sirisë përgjatë kufirit të Turqisë, Teherani është i kujdesshëm ndaj ndikimit në rritje të Ankarasë në një vend që e konsideron një aleat të ngushtë.
Përpjekjet e Erdoganit për të kapërcyer kundërshtimin iranian ndërlikohen nga përpjekjet e tij për afrimin me Izraelin dhe Arabinë Saudite, të dy rivalë të Iranit.
Irani dhe Turqia kanë një histori të gjatë rivaliteti mes tyre, por analistët e shohin faktin që presidenti Erdogan po viziton Teheranin si një shenjë se mund të arrihet një marrëveshje.










