Prej sot 425 € rroga minimale në Kosove, nga korriku 500 €

Hyn në fuqi rritja e pagës minimale në Kosovë, e cila nga 350 euro sa ishte deri më tani, bëhet 425 euro bruto. Kjo paraqet rritjen e parë të ndjeshme të pagës minimale pas disa vitesh.

Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 korriku 2026 do të nisë zbatimi i fazës së dytë, me të cilën paga minimale do të rritet në 500 euro bruto.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rikujtuar se ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat në Kosovë, duke theksuar se rritja është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit të viteve të fundit.

Vendimi për rritjen e pagës minimale është miratuar më 31 tetor, me qëllim përmirësimin e fuqisë blerëse, rritjen e standardit të jetesës së punëtorëve dhe formalizimin e tregut të punës.

“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për herë të tretë”, ka deklaruar Kurti.

Deri në miratimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Kosova për një kohë të gjatë ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, krahasuar me Luksemburgun që kryeson listën me 2.571 euro.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu