Presidenti i Kosovës Thaçi tregon se çfarë u diskutua në takimin që pati me Vuçiqin në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës se sotme ka treguar edhe njëherë se çka është biseduar në takimin e parë te fazës finale, të mbajtur gjatë së dielës së shkuar në Bruksel, raporton, “Zëri.Info”.

Me këtë rast, kreu i shtetit ka thënë se në takimin e parë është diskutuar vetëm për një kornizë të marrëveshjes finale.

Më 24 qershor në përputhje me mandatin tim si president, mandat ky që buron nga kushtetuta, në Bruksel jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky takim shënon fillimin e fazës finale të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Në këtë fazë synojmë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke mes shteteve. Motiv për të dialoguar mbetet dëshira jonë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të sigurte evropiane”, ka deklaruar ai.

Sipas Thaçit, në takimin e Brukselit është folur edhe mbi atë se “çka është e pamundur të diskutohet”.

Edhe në takimin e fundit kemi qenë bashkëpunues në krijimin e modaliteteve se çka është e mundur të arrihet në këtë proces dhe çfarë është e pamundur të pritet në këtë fazë te dialogut.Tani për tani është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, asgjë më tej. Por, ajo që është e ditur tani është se marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e pranueshme”, ka theksuar ai.

I pari i Kosovës tutje, ka thënë se partitë politike janë duke zhvilluar takim të brendshëm për ta arritur një konsensus për dialogun.

Është qenësore që konsensusi i dialogut të arrihet sa më shpejt. Procesi është duke ecur dhe ne nuk do të ndalemi”, ka nënvizuar ai.

Komponent tjetër e këtij procesi sipas tij, duhet te jetë transparenca e plotë.

Jam i gatshëm të adresohem për informimin në kuvendin e Kosovës apo edhe të qeverisë dhe t’i informoj qytetarët për këtë fazë finale”, ka shtuar ai.

Bisedimet në këtë fazë finale siç Thaçi ka thënë, pritet të jenë të rënda dhe të vështira.

Është një konflikt më shumë se njëshekullor që pritet të përmbyllet me pajtim dhe njohje reciproke. Arritja e marrëveshjes është e domosdoshme që të bëhemi pjesë e OKB-së, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian”, ka theksuar ai/ZËRI


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu