Presidenti iranian: SHBA nuk mund t’i imponojë bisedime ose luftë Iranit

SHBA-të nuk mund t’i “imponojnë bisedime ose luftë” Iranit, deklaroi të martën presidenti iranian, Hassan Rouhani përmes video-lidhjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Duke përjashtuar mundësinë e “shkrirjes së akujve” në marrëdhëniet Iran-SHBA, Rouhani në fjalimin e tij tha se qeveritë e ardhshme të SHBA-ve “përfundimisht do të dorëzohen para rezistencës” së popullit iranian.

“Asnjë administratë në histori nuk ka zhbërë 13 vjet bisedime ndërkombëtare pa shpjegim të arsyeshëm dhe duke mos respektuar rezoluta të OKB-së”, tha Rouhani, duke iu referuar vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për tërheqjen e njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore 2015, Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA).

“Jeta është e vështirë nën sanksione, por është më e vështirë pa pavarësi”, tha Rouhani, duke përjashtuar praktikisht mundësinë e “bisedimeve” derisa SHBA të kthehet në marrëveshjen e vitit 2015.

Asambleja e 75-të e Përgjithshme e OKB-së vjen në mes të tensioneve të rritura midis Iranit dhe SHBA-ve pasi Washingtoni në mënyrë të njëanshme lëvizën për të rivendosur të gjitha sanksionet e OKB-së mbi Iranin, pavarësisht se anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundërshtojnë këtë veprim.

Më herët gjatë ditës, në fjalimin e tij Trump përsëriti arsyetimin e tij për largimin nga JCPOA, duke pretenduar se ishte “i tmerrshëm”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu