Presidentja e Kosovës feston sot ditëlindjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, feston sot datëlindjen. Ajo mbush 40 vjet. Osmani ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, ShBA.

Është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në pesë mandate. Më 4 prill të vitit 2021, Osmani është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.

Në mandatet e kaluara ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 5 nëntor 2020, Vjosa Osmani është bërë u.d. Presidente e Republikës së Kosovës, pozita që i ka mbajtur deri me 22 mars 2021.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit e Presidentit të Kosovës dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pitsburgut në ShBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në SHBA.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”. Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Flet gjuhën angleze, turke, serbe, kroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar me Prindon Sadriun me të cilin kanë dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Jeton në Prishtinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu