Presidentja kroate personazhi më i përfolur i Botërorit, i le në hije të gjithë

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic, është personazhi më i përfolur nga liderët botërorë, pas humbjes së Kroacisë në Kampionatin Botëror.

Fotografitë e saja me fanellën kombëtare duke bërë tifo për skuadrën kroate janë shpërndarë në gjithë botën.

Ajo i mahniti të gjithë edhe në finalen e madhe me sjelljet në raport me politikanët tjerë dhe në veçanti me lojtarët e Kroacisë.

50-vjeçarja është treguar shumë e afërt edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, teksa i ka përqafuar lojtarët e kombëtares së saj.

Padyshim se momenti më emocionues ishte përqafimi i kapitenit Luka Modric, me ç’rast presidentja nuk i mbajti lotët.

Grabar- Kitarovic ka lindur më 29 prill të vitit 1968 në Rijekë. Ajo ka studiuar në Zagreb, Vjenë, Washington, Harvard dhe New Mexico, para se të doktoronte në vendlindjen e saj.

Krahas kroatishtes, ajo flet disa gjuhë duke përfshirë edhe anglishten, spanjishten dhe portugalishten, ndërsa kupton gjermanishten, frëngjishten dhe italishten.

Kujtojmë që përfaqësuesja e Kroacisë pësoi me rezultat 4-2 nga Franca në finalen e zhvilluar në Luzhniki Stadium.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu