Në një ceremoni të zhvilluar të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi Kombëtaren e futbollit të Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, si vlerësim për sukseset dhe përfaqësimin e denjë në arenën ndërkombëtare.
Në këtë takim morën pjesë figura kyçe të futbollit kosovar, përfshirë kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, përzgjedhësin Franco Foda, si dhe futbollistët Vedat Muriqi dhe Valon Berisha.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e ekipit për qytetarët:
“Me nderin më të lartë të Republikës së Kosovës, sot dekorojmë ekipin kombëtar të Kosovës në futboll, një ekip që me përkushtim, disiplinë dhe shpirt të jashtëzakonshëm ka përfaqësuar shtetin tonë në mënyrën më të denjë. Republika e Kosovës e nderon punën, mundin dhe djersën tuaj, e nderon rezultatet tuaja, por mbi të gjitha krenarinë që i keni dhënë secilit shqiptar, pavarësisht se ku jeton.”
Kjo dekoratë vjen pas një periudhe suksesi të Përfaqësueses, që ka ngjallur emocion dhe krenari tek qytetarët e Kosovës dhe komuniteti shqiptar në mbarë botën.










