Pretendohet se Rusia ndihmon Iranin me imazhe satelitore dhe dronë

Rusia po ndan imazhe satelitore dhe teknologji dronësh me Iranin për të shënjestruar forcat amerikane në Lindjen e Mesme, sipas një raporti të martën nga “The Wall Street Journal” (WSJ), transmeton Anadolu.

WSJ raportoi se Moska ka zgjeruar ndarjen e inteligjencës dhe bashkëpunimin ushtarak me Teheranin, duke ndihmuar aleatin e saj në Lindjen e Mesme kundër SHBA-së dhe Izraelit, i cili nisi luftën kundër Iranit gati tre javë më parë.

Sipas raportit, teknologjia që po ofrohet nga Kremlini përfshin komponentë të dronëve të modifikuar Shahed, të cilët kanë për qëllim përmirësimin e komunikimit, navigimit dhe shënjestrimit të forcave amerikane.

Një oficer i lartë i inteligjencës evropiane i tha gazetës se ndihma për Iranin vjen nga përvoja e Rusisë me dronë në luftën e saj me Ukrainën. Irani po merr njohuri të dorës së parë për udhëzimet taktike të Rusisë se sa dronë duhet të përdoren në operacione dhe nga cilat lartësi duhet të godasin.

Rusia gjithashtu i ka siguruar Iranit vendndodhjet e forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe ato të aleatëve të saj rajonalë, sipas raportit.

Ekspertët thanë se imazhet satelitore mund të ofrojnë detaje dhe lëvizje më të sakta të objektivave si tokësore ashtu edhe detare, të cilat mund të ndihmojnë në shënjestrimin para një sulmi, si dhe në vlerësimin e dëmeve pas një sulmi.

Të dhënat që Moska po i jep Teheranit vijnë nga një flotë satelitësh të menaxhuara nga Forcat Hapësinore Ruse, të cilat ofrojnë inteligjencë për operacionet ushtarake, sipas zyrtarëve.

Pavarësisht ndihmës që Irani ka marrë nga Rusia, administrata Trump tha se nuk ka kompromentuar operacionet ushtarake amerikane.

“Asgjë që i është dhënë Iranit nga ndonjë vend tjetër nuk po ndikon në suksesin tonë operacional”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka goditur më shumë se 7.000 objektiva dhe ka shkatërruar më shumë se 100 anije detare iraniane, duke çuar në uljen e sulmeve të tyre me raketa me 90 për qind dhe uljen e sulmeve të tyre me dronë me 95 për qind”, shtoi ajo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu