Pritet që Londra t’i ndërpresë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Britania e Madhe, e cila në gusht merr kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mund të kërkojë që të ndërpriten mbledhjet për Kosovën ose që ato të jenë të mbyllura për publikun, njofton transmetuesi publik i Serbisë.

“Thelbi i të gjitha kërkesave është që të bëhet presion kundër Serbisë dhe bashkësisë së gjerë ndërkombëtare që të pranohet teza se çështja e Kosovës është e zgjidhur”, ka thënë për këtë medium ish- diplomati serb Zoran Milivojeviq, transmeton Koha.net.

Qëllimi i kësaj çështjeje, siç thuhet në Beograd, është që Kosova të bartet në terrenin e garës globale në relacionin Washington – Moskë.

“Po dëshmohet se Britania është fuqimisht në qëndrimin që në kuadër të marrëdhënieve të veta të përgjithshme me Rusinë ta përfshijë Serbinë dhe me presion ndaj Serbisë të zgjidhë interesa strategjike, në këtë rast çështjen e Kosovës dhe këtë nuk mund ta trajtojmë hap miqësor”, thotë Milivojeviq.

“Jam i sigurt se Londra do të përpiqet t’i ndërpresë mbledhjet në Këshilli e Sigurimit dhe t’i shndërrojë ato në konsulta të mbyllura pa mbledhje zyrtare të KS-së për Kosovën. Kjo është e mundur të bëhet pa çështje procedurale dhe aty Rusia e Kina nuk mund të vënë veto. Ne aty nuk jemi të pranishëm”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu