Prizreni bën bashkë të gjithë liderët shqiptarë

Krerët e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës sot janë bërë bashkë në Prizren për të përuruar shtatoret e liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kjo ditë e sotme është vepër e përgjegjësive të marra, ku Skënderbeu kishte lënë një porosi e cila u rikthye fuqishëm në Prizren.

“Kjo vepër e sotme janë pjesa e përgjegjësive të marra në kuadër të përvjetorit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Porosia që dërgoi Skënderbeu për popullin e vet, ajo porosi nuk është shuar asnjëherë, por është rikthyer fuqishëm këtu në Prizren”, tha Haradinaj.

“Edhe UÇK guxoj të dalë atëherë kundër perandorisë jugosllave e cila i shkeli shqiptarët në trojet e veta, nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë ajo bëhet realitet. Ne jemi të vendosur ta realizojmë të drejtën tonë të Kosovës, ashtu siç shqiptarët realizojmë të drejtat e tyre”, shtoi Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më këtë rast ka thënë se këto shtatore përjetësojnë një moment vendimtar në historinë tonë kombëtare, momentin kur këta tre burra të mëdhenj e bashkuan kombin përball rreziqeve të kohës.

Duke e konsideruar këtë ditë, të veçantë për Prizrenin dhe gjithë kombin shqiptar, Veseli tha se në mesin tonë po kthehen të përjetësuar tre baballarë të kombit, të cilët nisën rrugëtimin me idenë e lirisë dhe të shtetit kombëtar të shqiptarëve.

Por, shtoi Veseli, kjo ditë nuk do ta kishte këtë hijeshi, pa një histori tjetër të veçantë të kombit tonë, e cila ndodhi këtu e 21 vjet më parë, pra ballafaqimi i parë frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, e cila për herë të parë poshtëroi në mënyrë disfatiste ushtrinë dhe policinë serbe.

“Sot ne shqiptarët kemi shtete, kemi liri, identitet e krenari, por kemi partnerë, në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euro-atlantike. Do të vazhdojmë kështu si sot, të bashkuar, për të përkujtuar dhe lartësuar çdo herë veprat e atdhetarëve dhe baballarëve të kombit. Njëkohësisht, edhe për të dëshmuar se jemi të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për të gjitha sakrificat që janë bërë, si dhe për të ruajtur dhe çuar përpara amanetin e heronjve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme heronjve të atdheut”, tha në fjalën e tij Veseli.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka falënderuar të gjithë që kontribuuan në krijimin e këtyre shtatoreve dhe se është i lumtur që këta 3 heronjë po rikthehen në Prizren pikërisht në këtë muaj.

“Për mua është kënaqësi që të jem sot në Prizren pak muaj pasi inauguruan fillimin e përpjekjeve për vendosjen e kësaj shtatoreje. Dua të përshëndes qeverinë e Kosovës, por edhe të gjithë artistët që kontribuuan që Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi të rikthehen aq më tepër që i mblodhëm në një ditë nëntori”, tha Meta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se qëllimi i kësaj mbledhje është të u pritet hovi i armikut dhe të mbrohen tokat shqiptare me gjak, raporton EO.

“Më 8 qershor 1878 Prizreni kishte marrë pamje të jashtëzakonshme. Në rrugët e qytetit qarkullonin mysafirë të shumtë thonë 5000 vetë. Sapo përuruam 3 shëmbëlltyrat e njohura, qëllimi i kësaj mbledhje është të u presim hovin armikut të egër dhe të i mbrojmë trojet tona me gjak”, tha Rama.

“Kjo tokë është trashëgimia më e vyer dhe për udhërrëfyesit e lidhjes së Prizrenit është udhërrëfyesi më i qartë shqiptar. Si një popull i cili zgjodhi dhe qoi deri më fund rrugën e lirisë sot në mënyrë paradoksale gjendet në një rrugë paradoksale nga Bashkimi Kombëtar”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se Prizreni po vazhdon të jetë vendi i bashkimit i gjithë shqiptarëve.

“Sivjet shënojmë 106 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kemi 21 vjetorin e daljes në publik të UÇK-së, sot edhe pas 140 vitesh lidhja shqiptare e Prizrenit vijon të mbetet fjala e lidhjes sonë. Ne jemi mbledhë sot të i kujtojmë heronjtë e kësaj kohe. Prizreni vazhdon të jetë vend i bashkimit”, tha Haskuka.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu