Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike-Strumicë, ka urdhëruar që të kryhet procedurë hetimore kundër nëpunësit policor i cili para disa ditësh lëndoi dy të mitur gjatë gjuajtjes me armën e tij zyrtare.
Për zbardhjen e plotë të rastit, prokurori publik po i pret rezultatet nga ekspertiza e gjurmëve dhe e provave materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, ekspertiza ballistike dhe analizat e gjurmëve të barutit. Nga të gjithë të përfshirët, pas incidentit u morën analiza nga mostra e gjakut dhe e urinës.
Duke e pasur parasysh se tashmë janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe janë mbledhur prova materiale në procedurë, për të dyshuarin janë caktuar disa masa kujdesi -ndalimi i lëshimit të vendbanimit, detyrimi që vazhdimisht të paraqitet në gjykatë, marrja e përkohshme e pasaportës dhe i është caktuar ndalesë për kryerjen e disa aktiviteteve të caktuara.
Nga Sindikata e Pavarur e Policisë, thonë se nëpunësi policor, i cili është anëtar i tyre, ka vepruar në mënyrë ligjore dhe e ka kryer detyrën e tij zyrtare. Ata kërkojnë që i gjithë rasti të shqyrtohet në mënyrë të detajuar dhe profesionale. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të miturit i cili ishte i plagosur më rëndë, po përmirësohet. Ai ende gjendet në klinikën e Shkupit, por gjendja e tij është stabile dhe për momentin nuk ndodhet në rrezik për jetë.










