Prokuroria: Ja kush vlerësoi dhe pse u vendos që Grubi të shkoj në arrest shtëpiak?

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me masën e arrestit shtëpiak të caktuar për Artan Grubin, i dyshuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, pas reagimeve të shumta në opinion, përcjell INA.

Sipas organit të akuzës, ky vendim është bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), të cilat kanë paraqitur informacione serioze se siguria fizike e të dyshuarit nuk mund të garantohej në ambientet e paraburgimit burgosës. Detajet specifike rreth këtyre kërcënimeve janë dorëzuar tashmë pranë gjyqtarit të procedurës paraprake.

Prokuroria sqaron se arresti shtëpiak me mbikëqyrje 24-orëshe konsiderohet një masë e plotë paraburgimi sipas Ligjit për Procedurë Penale, dhe se zbatimi i saj jashtë burgut bëhet vetëm në rrethana specifike si kjo e tanishmja. Për institucionin e akuzës, me rëndësi mbetet sigurimi i prezencës së të dyshuarit për mbarëvajtjen e ndjekjes penale lidhur me veprën “Përvetësim në shërbim” nga neni 354 i Kodit Penal. Deri më tani, hetimi financiar ka siguruar pjesën dërrmuese të provave, të cilat po shqyrtohen nga pala mbrojtëse, ndërsa Prokuroria bën thirrje për përmbajtje nga komentet publike për të siguruar një proces të paanshëm dhe efikas./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu