Organizatorët e protestës së 13 dhjetorit në Shkup thonë se të shtunën përmes një tubimi paqësor do të kërkojnë lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sipas tyre, padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë, përcjell TV21. Organizatorët thonë se kjo gjykatë përmes bashkëpunimit me Prokurorinë serbe, me këtë gjykimi po tenton të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Qëllimi i jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët që padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne do t’i adresojmë kërkesat tona të drejta dhe të ligjshme dhe ajo e përgjithshmja është që të kërkojmë krerët të lirohen”, tha mes tjerash Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.
“Konform ligjit për organizimin e protestës, kemi adresuar dy kërkesa madje, në Qytet të Shkupit, se konform ligj për Vetëqeverisje Lokale, për sheshet dhe bulevardet kompetent është Qyteti i Shkupit. Kemi bërë kërkesë para tri jave në Qytet të Shkupit, të njëjtën kërkesë të dytë e kemi adresuar para një jave, kemi marrë një konkluzion për ta paguar taksën komunale, gjë që e kemi bërë dhe presim në proces e sipër për ta marrë leje. Normalisht, nuk mendoj që duhet të ketë ndonjë pengesë, sepse është e drejtë Kushtetuese”, u shpreh Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup.










