Vijojnë protestat e dhunshme kundër samitit të G20-ës në Hamburg të Gjermanisë. Qindra protestues raportohet se janë lënduar, ndërsa të paktën 111 policë kanë marrë ndihmë mjekësore. Protestuesit e dhunshëm, disa prej tyre të maskuar, e kanë kaluar natën në rrugë. Ata kanë hedhur gurë dhe mjete të tjera në drejtim të policisë, si dhe i kanë vënë flakën disa makinave. Situata në Hamburg paraqitet e rëndë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, por nuk raportohet për viktima në njerëz.
Sipas policisë, në protestën e madhe te quajtur “Mirësevini në Ferr” kanë marrë pjesë rreth 12.000 kundërshtarë të samitit G20 dhe globalizimit. Për të siguruar këtë samit janë angazhuar rreth 20,000 forca sigurie, 28 helikopterë, 185 qenë të specializuar, 40 makina me topa uji, 3000 makina policie etj.
Samiti mbahet në kohërat më të vështira të dekadës së fundit për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë. Kancelarja Angela Merkel, ka paralajmëruar se nga ky samit nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli.
Me vëmendje të madhe pritet edhe takimi Trump-Putin, që do të jetë takimi i parë zyrtar i tyre, pas zgjedhjes së Trumpit presidentit, si dhe ai i kancelares Angela Merkel me presidentin turk Rexhep Tajip Erdoan. Kjo për shkak të përplasjeve të shumta mes dy vendeve për referendumin që zgjeroi kompetencat e presidentit të Turqisë./InfoShqip.com










