Pse disa njerëz bëhen ziliqarë kur shohin dikë më mirë se veten

Përkundër qëllimeve të mira, shoqëritë moderne janë thellësisht të pabarabarta. Megjithatë, kultura bashkëkohore na ushqen ndjenjën se në mënyra vendimtare, të gjithë janë, në të vërtetë, në të njëjtën vijë starti. Jo në aspektin e zotërimeve dhe statusit aktual, por në aspektin e potencialit. Sot, mund të mbeteni pa të holla, të mos keni prestigj dhe të digjeni nga refuzimet e njëpasnjëshme. Por këto janë – insinuata pra- probleme të përkohshme.

Ti përvishesh me përkushtim një pune, mbajtja gjithnjë e një qëndrimi pozitiv dhe disa ide të ndritshme në kokë mund ta rregullojnë situatën në kohën e duhur. Gjithnjë ka për të patur në qarkullim histori inkurajuese: si shembulli i djaloshit që brodhi përqark Amerikës së Jugut për pesë vjet duke mos bërë asgjë, më pas u kthye në shtëpi dhe nisi një biznes që bënte veshje sportive që u shit një miliard. Ose gruaja që bëri një pasuri me një app rekomandimesh për blerjet me pakicë të krijuar në kuzhinë të saj.

Jo shumë shekuj mëparë, mendimi se dikush diku kishte ndonjë pasuri apo asset të madh që ty të mungonte (një biznes, një punë prestigjioze etj.) do të të kalonte si pa u ndierë, si një fakt jopersonal, pa ndikim në jetën tënde të brendshme psikologjike, sepse asokohe, ndarja e fisnikërisë me shërbëtorët ishte e qartë, dhe për këta të fundit nuk kishte rrugë të mundshme nga ku të arrinin në posedim të një gjëje të tillë – aq sa një bujk fshati mund të shpresonte të bëhej një kalorës.

Por tani kanë ndryshuar kohërat, fryma e shoqërisë moderne i mëshon fort barazisë intensive, e cila është një torturë në aspektin e zilisë, sepse kur ambiciet se të gjithë kemi mundësi të barabarta qarkullojnë në shoqëri, që i thonë vetes se çdokush mund të bëjë çdogjë, ndjesia e zilisë shkon në overdozë.

Ne nuk ua kemi zili të gjithëve, ne bëhemi ziliqarë vetëm kur mendojmë se avantazhet e dikujt tjetër janë brenda mundësive tona. Pra, kur një posedim i dikujt na jep atë ndjesinë se mund ta kishim edhe ne (për shumë prej këtyre gjërave na gënjen mendja), në këtë moment brejtja e zilisë rritet rrezikshëm. Për fat të keq, shoqëria jonë gjeneron sasi të panumërta zilie e smire gjithashtu (akoma më shumë i përforucuar nga e kaluara judeo-kristiane) e cila e dënonte këdo që pranonte se përjetonte këtë emocion.

Megjithatë, të ndjehemi të zënë ngushtë nga ndjenjat tona ziliqare, rrezikon të na inkurajojë t’i shtypim ato që të mos plasim prej tyre – dhe për këtë arsye, të humbasim mundësinë për të nxjerrë disa mësime jashtëzakonisht të rëndësishme prej tyre. Ndërkohë që smira është thellësisht e pakëndshme, çuarja e bisturisë deri në palcë të këtij emocioni është e domosdoshme për një jetë të denjë. Kjo është një thirrje për veprim që duhet dëgjuar, sepse ky emocion, përzien bashkë mesazhe të ngatërruara të dërguara nga pjesët më konfuze por edhe të rëndësishme të personaliteteve tona mbi atë çfarë duhet të bëjmë me pjesën tjetër të jetës sonë.

Po të mos i kishim patur ato sulmet e njëpasnjëshme të zilisë, nuk do të mund ta mësonim kurrë çfarë duam të bëhemi. Në vend që të përpiqemi ta shtypim zilinë tonë, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta studiuar atë. Secili person që kemi zili posedon një sekret që fshihet në skutat e bodrumeve më të thella të mendjes dhe zemrës tonë, që ndikon rrënjësisht të ardhmen tonë të mundshme.

Ekziston një portret i mirfilltë i ‘vetes tonë të vërtetë’ që mund të krijohet po të mblidhen të gjitha copëzat e zilive që marrim kur shfeltojmë nëpër një revistë, kthejmë faqet e një gazete ose shohim në internet sukseset e karrierës së shokëve të shkollës së mesme. Ne duhet me qetësi të bëjmë një pyetje thelbësore dhe shpenguese për të gjithë ata që i kemi zili: ‘Ç’mund të mësoja këtu?’

Për fatin e keq, ne jemi shumë nxënës të keqinj të zilisë. Ne fillojmë të kemi smirë disa individë në tërësinë e tyre, kur në fakt, nëse ndalemi një moment për të analizuar jetën e tyre me qetësi, do të kuptonim se ka qënë vetëm një pjesë e vogël e asaj që ata kanë bërë që me të vërtetë rezonon dhe duhet t’i udhëheqë hapa të mëtejshëm të jetës tonë.

Mund të mos jetë i gjithë stili i jetesës së një sipërmarrësi të restoranteve që do të donim, por në të vërtetë vetëm aftësitë e tij në ndërtimin e një rrjeti të tillë. Ose nuk mund të dëshirojmë vërtet të bëhemi poçar (kur mendojmë më gjatë këtë) dhe megjithatë ne mund të kemi nevojë për pak më shumë sens loje që shfaqet në punën e një shembulli që lexojmë në suplement të së dielës. Ajo që ne jemi në rrezik të harrojmë është se cilësitë që admirojmë nuk i përkasin një jete të veçantë, shumë tërheqëse.

Ata mund t’i imitojmë në doza më të vogla, por edhe reale, në vende të tjera të panumërta, duke hapur mundësinë e krijimit të shumë versioneve më të vogla, më të menaxhueshme dhe më realistike të jetës që dëshirojmë. Kur ne kemi thithur gjithë nektarin nga zilia, ne gjithashtu duhet të pranojmë se do të ketë kufij për përfitimet e saj. Ne duhet të dimë se si ta përdorim atë dhe në pikat e tjera, si të qetësojmë dhimbjet e saj.

Shumë shumë mbushje e kokës me rastet e sukseseve të njerëzve të tjerë mund të na trembin e të na paralizojnë deri në pasivitet dhe pa dashje na pengojnë të vendosim në praktikë qoftë një plan të vetëm tonin. Ne kërcejmë nga njëri objektiv në tjetrin pa e ditur se si të përqendrohemi. Për të arritur diçka vetë, ne duhet të jemi të lirë dhe të kalitur për shtrirje të zgjatura për të fituar sa më shumë terren psikologjik kundrejt presioneve psikologjike të ushtruara nga lajmet e bëmave të të tjerëve.

Ne kërkojmë periudha të izolimit të brendshëm dhe të qetësisë nëse ne ndonjëherë duam të përfundojmë diçka që është e vlefshme, domethënë, diçka që neve vetë një ditë mund t’na e kenë zili. Duhet të jemi në gjendje ta shtyjmë për më vonë konkurrencën, për në momentin kur ajo mund të na sfidojë vërtetë siç duhet, në vend që të na shtypë.

Nxënësi që në një orë hartimi të shkrimit ia zili Heminguejt ose Nabokovit nuk do të ndihmohet nga intensiteti i fuqishëm i krahasimit midis shkrimeve të tij dhe atyre të këtyre mjeshtrave. Ne si shoqëri, që notojmë në detin e kompleksit të vogëlsisë duhet t’i hapemi praktimit të inferioritetit konstruktiv – ka ardhur koha për të vlerësuar lartësinë e malit dhe për të filluar ngjitje me hapa të sigurtë e të qëndrueshëm. Rivaliteti ziliqar, nëse dëpërton shumë shpejt, prodhon vetëm dëshpërim dhe shkatërrim.

Një tjetër strategji vendimtare – për t’u çliruar nga kthetrat me të cilat na mban lidhur zilia – është të kuptojmë më saktë dhe plotësisht se nga çfarë varet suksesi i të tjerëve. Ndoshta këto figura që ua kanë zili të gjithë nuk janë aq shumë ashtu siç duken në Instagram. Ndjenja juaj e barazisë – që ata s’kanë patur asgjë më shumë sesa ty në jetë por kanë arritur shumë – mund të jetë e gabuar.

Ata mund të kenë një doktoraturë në inxhinieri elektronike. Ose ata janë të dhënë pas punës tetëmbëdhjetë orë në ditë. Ose ata kanë një vijë të pamëshirshme që nuk bëjnë lëshime, për të cilat ju nuk jeni në gjendje ose jeni të pa-interesuar t’i dini. Ose e kundërta, ata mund të hiqen sikur kanë arritur gjithçka vetë por nëse i studiojmë me vëmendje nuk vonon të vërtetojmë ndryshe.

Mendimi i bezdisshëm – pse ata po, e jo unë? – nuk duhet të zgjojë me kaq thjeshtësi torturë dhe panik. Ai duhet të na shtyjë në drejtim të admirimit. Në të vërtetë ka dallime reale midis vetes tonë dhe personit që kemi zili. E para, nuk është e vërtetë se nisemi në kushte të barabarta. Nuk është thjesht dembelizmi, fati i keq apo ndonjë forcë persekutive që shpjegon situatën tonë.

Ne mund të arrijmë me një arsyetim të shëndoshë në përfundimin se, kur i shohim me gjakftohtësi, disa arritje të caktuara janë me të vërtetë përtej mundësive tona. Ne kemi në dorë të bëhemi spektatorë admirues sesa rivalë të zhgënjyer, të atyre që kanë realizuar gjëra të mëdha.

Në gjuhën shqipe, shprehja “ja kam zili” punon në dy kahje, nga njëra anë fsheh një brejtje zemre, smirë, një ndjenjë e lakmisë, e keqardhjes dhe e keqdashjes, që na ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten, dhe nga ana tjetër është pikërisht kjo frazë që ngjall admirim dhe dëshirën dhe frymëzim të madh për të pasur a për të arritur atë që ka a që ka arritur dikush tjetër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu