Transferimi i Neymar nga Barcelona te PSG vazhdon të diskutohet akoma sot. Në Katalonjë, në fakt, po zhvillohet një gjyq për të caktuar se kush duhet t’i paguajë kujt dhe situata nuk është aspak e lehtë. Nga njëra anë është një firmë e hedhur për një rinovim kontrate, nga tjetra pagesa e klauzolës për shfuqizimin e kontratës.
Braziliani kërkon bonusin që iu premtua nga katalanasit në momentin e firmës, por drejtuesit e klubit spanjoll refuzojnë me arsyetimin se kontrata në fjalë nuk është respektuar. Po Al-Khelaifi çfarë bën? Po studion çdo lëvizje të mundshme për të shpëtuar lojtarin e tij.
Vera e 2017-ës është ajo që ka shënuar pikën e moskthimit për fryrjen e vlerave në merkato të futbollistëve. Neymar sapo kishte rinovuar kontratën me Barcelona-n, në të cilën përcaktohej se çdo skuadër që do të interesohej për të, do të duhej të derdhte 222 milionë euro në arkat e katalanasve. Siç ka bërë të ditur “Mundo Deportivo”, lojtari do të merrte një bonus për rinovimin, të cilin pretendon ta marrë tani, por Barça kërkon një dëmshpërblim prej 75 milionë eurosh, duke parë se kontrata nuk është respektuar.
Në lojë janë shumë para. Edhe pse për PSG-në, që mbështetet ekonomikisht nga Katari, paratë nuk janë një problem, Al-Khelaifi po studion çdo lëvizje të mundshme për të mos i dhënë të drejtë askujt përveçse vetes së tij. Një dëshmi e mundshme e tij rrezikon t’i kushtojë 75 milionë euro Neymar-it, sepse do të rrezikonte të konfirmonte rolin që ka patur PSG në prishjen e marrëdhënieve të lojtarit me klubin spanjoll.
Për këtë arsye, Nasser Al-Khelaifi, siç ka bërë të ditur “ABC”, ka ‘vendosur’ të shtyjë daljen e tij para gjykatësit. Sipas “Mundo Deportivo”, kjo është një strategji që po përdoret nga numri një i PSG-së për të mos humbur lojtarin e paguar një thes me para. “Nuk të lë të paguash dëmshpërblimin që kërkon Barça, por t’i do të qëndrosh në Paris”, ky duket se është arsyetimi i presidentit të klubit francez.
Në fakt, zërat për një largim të mundshëm të brazilianit nga Franca në fundin e këtij sezoni janë shtuar ndjeshëm. Ku i dihet se për çfarë shifrash do të bëhet fjalë këtë herë…










