Pushteti kundërshton kërkesën për uljen e akcizës dhe heqjen TVSH-së për naftën

Pushteti kundërshton kërkesën për uljen e akcizës dhe heqjen TVSH-së për naftën

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, i cili sot në Kosovë u raportua se ka shkuar deri në dy euro.

Kjo seancë është thirru nga LDK. Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se rezoluta e LDK-së kërkon nga Qeveria uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Rezoluta u mbështet edhe nga dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Mirëpo, ky propozim u kritikua nga partia në pushtet.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Murati deklaroi se ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon rreth 50 litra naftë në muaj përkthehet në rreth 8 euro kursim në muaj. Sipas tij, kjo shumë është e vogël për qytetarët, ndërsa për buxhetin e shtetit do të nënkuptonte rreth 10 milionë euro më pak të hyra në muaj.

Ai akuzoi opozitën se këto propozime nuk po bëhen për qytetarët, por për bizneset që, sipas tij, i mbështesin këto parti.

“Nuk e kanë për qytetarët, por për bizneset që i mbështesin këto parti. Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. Ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta thonin se janë vitra e tash propozimi i tyre është uleni akcizën t’i kursejnë 8 ero në muaj, e për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, u shpreh Murati.

Edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.

Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se vendimi për ulje të akcizës dhe TVSH-së është vetëm vendim i lehtë dhe i shpejtë, por me dëm të madh.

“Kërkesat kryesor në raport me heqje të akcizës dhe TVSH-së, të cilat po konsistojnë në vazhdimësi duke u përsëritur, janë e para vetëm të lehta dhe mendimi se kemi bërë diçka, por nuk është ideja për të sjellë vetëm vendime të shpejta e të lehta me dëm të madh. Ideja është për të bërë analiza të mirëfillta dhe për të ruajtur mirëqenien e atyre që kanë nevojë të ruhen më së shumti me mekanizma shtetëror”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme u raportua se çmimi i naftës në disa pompa të benzinës ka shkuar në 2.03 euro për litër sot, Kusari-Lila nga seanca e jashtëzakonshme bëri thirrje që qytetarët të raportojnë operatorët që kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë.

Ajo tha se sipas marzhës së përcaktuar, nafta sot mund të shihet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kusari-Lila tha se çdo çmim mbi 1,83 cent duhet të raportohet.

“Zyrtarisht sot nafta sipas marzhës së përcaktuar, mund të shitet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kudo që nafta është dy euro ju ftoj ta raportoni menjëherë, një fotografi e thjeshtë kryen punë për të pasë dënimin dhe sanksionin që këta operatorë kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë”, tha Kusari Lila.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu