Carles Puyol ka dhënë disa komente lidhur me Lionel Messin. Lionel Messi lidhej gjatë gjithë verës me një largim të mundshëm nga Barcelona, por në fund një mundësi e tillë u pamundësua.
Ishte La Liga që vendosi se klauzola e lojtarit ishte valide dhe duheshin paguar 700 milionë euro për të transferuar lojtarin. Kështu, ai mbeti te Barca, ndonëse jo me shumë dëshirë.
Gjithsesi, përkundër kësaj, Carles Puyol beson se Messi tashmë është i motivuar dhe mund të vazhdojë edhe disa vite me katalanët.
“Sikur çdo tifoz, unë nuk dua që Messi të largohet, por ky është futbolli”, ka thënë Puyol.
“Në fund ai vendosi të qëndronte. Ai së fundmi ka thënë se është i motivuar dhe se ai dëshiron të fitojë dhe ne shpresojmë se ai mund të vazhdojë me ne për disa vite”, ka shtuar ish kapiteni i Barcelonës.
“Ai është aset i madh për La Ligan, është një nga më të mirët në botë”, ishin fjalët e Puyol.
Lionel Messi nuk ka shfaqur shenja pakënaqësie deri më tani në fushën e blertë, me Barcelonën që numëron vetëm një barazim dhe të tjerat fitore në ndeshjet e para.