Qeveria e re në Mal të Zi, Gjeloshaj: Abazoviç nuk mjafton për të mbrojtur interesat e shqiptarëve

Nik Gjeloshaj, kryetar i komunës së Tuzit tha se qeveria e re në Mal të Zi i dëmton interesat e shqiptarëve dhe Abazoviç nuk mjafton për t’i mbrojtur këto interesa sepse ai nuk është në pozicionin e përfaqësuesit të shqiptarëve.

Ndërkohë kryetari i komunës së Tuzit tha gjithashtu se protestat e fundit atje për masat anti-COVID morën përgjigjen e duhur. Qeveria pranoi gabimin dhe rregulloi protokollin për pandeminë, siç sqaroi dhe Gjeloshaj.

Ndërkaq sipas tij dita e djeshme ku kremtohej 577 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës ishte një mundësi për reflektim se bashkëpunimi është zgjidhja e vetme për të ecur para.

Mungesa e zyrtarëve shqiptar në Lezhë gjatë 2 marsit, si simbolikë e bashkimit të trevave ishte një pyetje e cila nuk mori përgjigje nga Gjeloshaj. Sipas tij nuk ishte kryetari i komunës së Tuzit, personi i duhur për të shpjeguar se përse krerët e shtetit shqiptar nuk morën pjesë në ceremoni. Sa i takon bashkëpunimit të deritanishëm Shqipëri-Kosovë, Gjeloshaj tha se ky ishte një detyrim.

“Unë mendoj se nuk guxojnë të mos bashkëpunojnë sepse e kanë obligim kombëtar dhe çdo herë që nuk bashkëpunojnë mendoj se duhet të gjobiten nga populli. Ata nuk guxojnë të bëjnë diçka të tillë sepse mendoj do t’i gjykojë historia mirëpo mendoj se duhet t’i gjykojnë edhe shqiptarët ne qoftë se nuk bashkëpunojnë sepse nuk kemi këtu relacione personale por relacione kombëtare ndërmjet dy shteteve” – tha Nik Gjeloshaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu