Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë dhe zëdhënësi qeveritar, Stelios Pecas e demantojnë informatën e publikuar në gazetën greke “Dimokratia” se kanë ekzistuar kontakte me palën turke në prag të Samitit të BE-së, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Në tekstin “Micotakisi i përulet sulltanit”, të publikuar në ballinën e gazetës, shkruan se këshilltarja e Micotakisit ka hyrë në kontakt me këshilltarin e Erdoganit dhe ka kërkuar fillim të dialogut mes dy vendeve.
“Dimokratia” komenton se “vazhdon diplomacia e fshehtë” me “hapin e përuljes, pak kohë para Samitit të sotëm të BE-së”, ndërsa ministri i Jashtëm, Nikos Dendias nuk ka qenë i njoftuar.
Zëdhënësi i Qeverisë greke, Stelios Pecas demanton kontakt mes këshilltarëve të Micotakisit dhe Erdoganit dhe thotë se “duket sikur disa u bënë të varur nga fake news” dhe “shpikën marrëveshje të fshehta me Turqinë”.
“E demantojmë publikimin e sotëm në gazetën ‘Dimokratia’. Nuk ekzistonte komunikim mes këshilltares diplomatike të kryeministrit, Eleni Sourani dhe përfaqësuesit të presidentit turk për fillim të sërishëm të kontakteve preliminare. Askush nuk ka të drejtë të luajë lojëra në barrë të vendit”, thotë Pecas në kumtesë.
Me kumtesë doli edhe Ministria greke e Punëve të Jashtme, e cila gjithashtu i demanton informatat për kontakte me palën turke, sqaron se shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias dje “kush e di për të satën herë gjatë ditëve të shkuara”, ka realizuar “bashkëpunim të gjatë me kryeministrin Micotakis dhe këshilltaren e tij diplomatike” në prag të takimit të Këshillit të Evropës.
“Çështja për propozim për vazhdim të bisedimeve preliminare me Turqinë as nuk është inicuar, as që ekziston, gjithnjë derisa vendi fqinj nuk tregon ndryshim në sjelljen e saj me aktivitete konkrete, si dhe me evitim afatgjatë të provokimeve”, kumtojnë nga MPJ greke.









