Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli dje ka deklaruar se nuk ateroi nga Zvicra direkt në Kosovë pasi u frikësuar për një “akt terroristik nga ana e shtetit të tij”, shkruan Gazeta Metro.
E ndaj kësaj ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, duke thënë se do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr deklaratat e tij të djeshme.
“Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha.
Reagimi i plotë i Kryeziut:
“Deputetit Pacolli i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.
Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një “akt terroristik nga ana e shtetit” në të.
Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për “akt terroristik nga shteti”.
Këto fjalë të rënda, po publikohen në mediat e vendeve që sabotojnë shtetësinë e Kosovës, dhe po përdoren kundër shtetit tonë.
Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha.
Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd “terrorist”, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve.”










