Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Janë një numër aktiviteteve për ta shënuar vitin gjithëkombëtar ku sipas tij 250 mijë euro do të jenë për restaurimin e kishës së Skënderbeut në Prizren dhe paratë tjera për aktivitete tjera që do të bëhen në vitin e Skënderbeut, përcjell Gazeta Metro.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 35-të në të cilën ka diskutuar dhe miratuar dokumente dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Programit Legjislativ për vitin 2018. Në program do të përfshihen edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për ‘Asistencë teknike në kontekst të integrimit evropian; dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin ‘Evropa për qytetar’.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Korniza e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës, për bashkëpunimin dhe ofrimin e ndihmës brenda kompetencave ligjore në rastet kur kërkohen nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit për përmbushjen e obligimeve që dalin nga “Korniza e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës”.
Qëllimi i Kornizës së treguesve të shëndetit të fëmijës dhe nënës është që të identifikojë treguesit bazë për përmirësimin e shëndetit publik, veçanërisht të fëmijëve, të përcaktohen akterët përgjegjës për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e treguesve si dhe për grumbullimin dhe raportimin e të dhënave dhe fuqizimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Qeveria ka ndarë mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e 550 Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. 250 mijë euro do të përdoren për restaurimin e kishës së Skënderbeut në Prizren, ndërsa mjete tjera do të ndahen për aktivitete tjera që do të zhvillohen gjatë këtij viti, që është shpallur Vit i Skënderbeut.
Koncept dokumenti për pagat që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Koncept dokumenti i miratuar do t’i hap rrugë hartimit dhe miratimit të Projektligjit për pagat në Republikën e Kosovës. Parimi bazë i ndjekur në përgatitjen e këtij dokumenti është: Paga e njëjtë për punën e njëjtë.
Kabineti qeveritar ka ndarë mjete në shumën prej 75 mijë eurove për Doganën e Kosovës për furnizim me banderola për miell, që do të mundësojë implementimin e Udhëzimit Administrativ për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit, i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës.
Strategjia shtetërore kundër terrorizmit dhe Plani i veprimit 2018-2023 ka marr gjithashtu miratimin nga Qeveria e Kosovës. Strategjia ka për synim luftimin e ideologjive ekstremiste dhe radikale të çfarëdo natyre, të cilat shpien në përdorim të dhunës dhe janë në kundërshtim me parimet demokratike të shoqërisë sonë.
Strategjia synon edhe parandalimin e aktiviteteve terroriste dhe minimizimin e rrezikut të kërcënimeve terroriste. Institucioni bartës në zbatimin e Strategjisë është Ministria e Punëve të Brendshme por edhe mekanizmat tjerë të sigurisë, rendit, edukimit, zhvillimit dhe kulturës në vend.









