A do të kishit dashur të kishit një ueb platformë e cila do të mund t’i shndërrojë në realitet vizionet tuaja për të ardhmen e vendit në të cilin jetoni? Çfarë do të kishit sugjeruar së pari? Si e imagjinoni të ardhmen në 20 vitet e ardhshme?
Po, ekziston një ueb platformë e tillë dhe ajo është një nga mjetet kryesore që do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të kenë mundësinë të përfshihen në krijimin e Strategjisë Kombëtare Zhvillimore (SKZH) si një dokument kryesor në të cilin do të përvijohet rruga e zhvillimit të vendit tonë në 20 vitet e ardhshme. Platforma dixhitale nrs.mk ofron mundësi ta imagjinoni të ardhmen dhe t’i ndani idetë, vizionet, propozimet dhe zgjidhjet tuaja, dhe një pjesë e qytetarëve tashmë e kanë bërë këtë.
“Vizioni im është se për 20 vite do të jetojmë në një vend më të pastër dhe do të thithim ajër më të pastër. Prandaj konsideroj se duhet të punojmë në modele për t’i ndëshkuar më ashpër ndotësit.”
“Imagjinoj arsim në të cilin fëmijëve u lejohet të mendojnë me kokën e tyre, të gjejnë zgjidhje për problemet, e jo të memorizojnë dhe të citojnë fakte. Gjithashtu imagjinoj arsim të mesëm me shumë praktikë dhe profile të specializuara sipas nevojave të tregut të punës, e jo armatë të gjimnazistëve të cilët nuk dinë të punojnë asgjë, dhe meqë s’kanë alternativë tjetër regjistrohen në fakultet.”
Çfarë ofron ueb platforma?
Sipas shembullit të shteteve të zhvilluara evropiane të cilat krijojnë suksesshëm strategji të ndryshme, ndërkaq fjalën kryesore e kanë qytetarët, procesi i krijimit të Strategjisë Kombëtare Zhvillimore do të jetë i hapur për të gjithë. Platforma e internetit nrs.mk është e ndarë në katër seksione kryesore – kapitali njerëzor, mjedisi jetësor dhe energjia, rritja, infrastruktura dhe investimet, dhe secila prej tyre përbëhet nga disa nëntema. Platforma ju lejon të përfshiheni në pjesën ku dëshironi të ndani idenë tuaj dhe të kontribuoni në krijimin e një të ardhmeje më të ndritshme për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
Platforma interaktive dhe inkluzive, dixhitale ofron informacione të reja, pyetësorë dhe anketa nga sfera të ndryshme, si dhe hapësirë për debate dhe komente. Ky është vend për dialog konstruktiv përmes mjeteve interaktive, pjesëmarrjes anonime në procesin përmes anketave dhe hapësirë për komente, informacione kryesore dhe fakte interesante të cilat do t’ju nxisin të mendoni.
Si të përfshiheni?
Vizitoni nrs.mk dhe zgjidhni njërin prej tri gjuhëve të ofruara (gjuha maqedonase, gjuha shqipe dhe gjuha angleze). Klikoni në sferën tematike për të cilën dëshironi të jepni mendimin tuaj, e pastaj keni opsionin për të zgjedhur edhe nëntemë. Lexoni hyrjen për sferën e zgjedhur, plotësoni pyetësorin, lini koment lidhur me atë se si e imagjinoni të ardhmen dhe në atë mënyrë bëhuni pjesë e ndërtimit të rrugës për një të nesërme më të mirë.
Pse është e rëndësishme Strategjia Kombëtare Zhvillimore?
Strategjia Kombëtare Zhvillimore (SKZH) do të jetë dokument gjithëpërfshirës për zhvillimin ekonomik, social, ekologjik dhe kulturor të shtetit tonë në dy dekadat e ardhshme. Ideja e SKZH-së është të sigurojë mjedis pozitiv për konsensusin nacional në vend, prioritete zhvillimore afatgjate, si dhe lehtësim të dialogut politik për qëllimet strategjike të cilat duhet t’i zgjidhin sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut.
Strategjia Kombëtare Zhvillimore do të krijohet përmes një procesi të gjerë inkluziv në të cilin do të konsultohen të gjitha palët e interesuara në shtet, përfshirë edhe qytetarët, që dokumenti final për vizionin dhe të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut të jetë konsensual dhe mbipartiak, si dhe gjithëpërfshirës në aspektin e gjeneratave, në aspektin ndëretnik, gjinor dhe social.
Prandaj është i rëndësishëm mendimi juaj. Keni tashmë ide? Vizitoni nrs.mk dhe merrni pjesë në krijimin e Strategjisë Kombëtare Zhvillimore për 20 vitet ardhshme me propozimet, idetë dhe qëndrimet tuaja! Bashkë krijojmë ardhmëri!










