Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev thotë se mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por jo në kurriz të të drejtave të bullgarëve.Radev në një takim me përfaqësuesit e organizatave të komunitetit bullgar në Maqedoni nga Manastiri, Ohri, Shkupi, Prilepi, Kavadari dhe Koçani tha se është detyrë e çdo shteti demokratik të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij dhe të garantojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
“Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor do ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të hapë dyert për negociata për anëtarësim të plotë. Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i Maqedonisë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave të komunitetit bullgar në vend”, Rumen Radev, President i Bullgarisë.
Në këtë drejtim, Radev shprehu shpresën se autoritetet e RMV-së do ta zbatojnë kompromisin evropian të vitit 2022 sa më shpejt të jetë e mundur dhe do t’i përfshijnë bullgarët në kushtetutën e tyre.
Ndërkaq, qeveria e Maqedonisë së Veriut insiston që të merr garanca para se të bëjë ndryshimet kushtetuese. Zëvendëskryeinistri, Aleksandar Nikolloski në një intervistë për MIA-n nga Bruklseli, ku mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, tha se Maqedonia ka merituar që moti t’i fillojë negociatat në BE.
Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, theksoi nevojën për afate të qarta dhe siguri në proces, nëse realizohen reformat e kërkuara.
Nikolloski gjithashtu kërkoi që procesi të jetë dypalësh, duke nënvizuar se edhe Bullgaria duhet të zbatojë 14 vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që lidhen me të drejtat e maqedonasve në Sofje./SHENJA/










