Radev: Rruga e RMV-së drejt BE-së kalon përmes Bullgarisë

Para fillimit të takimit të Këshillit Evropian në Bruksel, Presidenti bullgar Rumen Radev ka deklaruar se u kanë bërë ballë të gjitha presioneve gjatë dy muajve të kaluara dhe se kanë arritur të dëshmojnë se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, kalon përmes Bullgarisë. Bisedimet do të vazhdojnë, por Sofja nuk heq dorë nga kërkesat e saja.

“Muajt e fundit, Bullgaria ishte nën presion të jashtëzakonshëm nga partnerët evropianë që në Këshillin e sotëm Evropian t`i fillojë negociatat për anëtarësimin e RMV-së. Besoj se kuptuan se akuzat ndaj Bullgarisë janë të pabaza, se kemi qëndrim të qartë për të gjetur zgjidhje për këtë problem dhe se insistojmë në garanci të sigurta, në rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në marrëdhëniet dypalëshe. Është koha të dalim nga diplomacia familjare para kamerave dhe të fokusohemi në zgjidhje prgamatike”, tha Radev.

Presidenti bullgar Radev ka deklaruar se perspektiva evropiane e RMV-së varet vetëm nga angazhimi dhe rezultatet nga dialogu me Sofjen, duke përsëritur retorikën se vendi duhet të përballet me faktet historike.

“Nuk mund të themi “po” para se të shohim mekanizma të qëndrueshme për crrënjosjen e narativit të shtrembëruar ndaj Bullgarisë, nga librat shkollor, muzetë, përmendoret, mediat dhe politika shtetërore. Nuk mund të themi “po” derisa nuk bindemi se fqiu ynë nuk do ta ndërtojë identitetin e tij përmes përvetësimit të historisë bullgare”, vazhdoi tutje Radev.

Është ky Samiti I fundit nën organizim të Portugalisë, e cila nga 1 Korriku presidencën e BE-së ia dorëzon Sllovenisë. Samiti për Ballkanin Perëndimor që do të organizohet nga Sllovenia më 6 Tetor do të jetë shansi I ardhshëm për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu