Në fund të fjalimit të tij historik para Parlamentit të Izraelit, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve, duke shprehur shpresën për një epokë të re marrëdhëniesh në Lindjen e Mesme.
“Fjalët e një martiri arab për paqen, dua t’i mbyll me fjalët e një martiri hebre për paqen. Ju bëjmë thirrje izraelitëve, hebrenjve dhe palestinezëve të ndjekin rrugën e paqes. Palestinezët duhet të jetojnë me dinjitet në vendet e tyre, ndërsa dy kombet të bashkohen për njerëzimin dhe paqen,” tha Rama.
Kryeministri shqiptar vuri në dukje rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar dhe rolit të Shqipërisë si një urë bashkëpunimi mes komuniteteve dhe shteteve. Ai përmendi gjithashtu kontributin e vendeve si Katari dhe Omani në promovimin e stabilitetit global dhe shprehu besimin se marrëveshja e Abrahamit mund të shërbejë si model për të ardhmen.
Rama nënvizoi se paqja është “i vetmi bulevard i së ardhmes” dhe se Shqipëria ndihet e bekuar të ketë miqësinë e Izraelit, vendeve arabe dhe Turqisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për stabilitetin e ardhshëm.










