Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për “Politiko”-n, ka thënë se Platforma e Tiranës është mit i krijuar nga politikanët maqedonas.
Rama e mbron Deklaratën e partive politike shqiptare të Maqedonisë dhe thotë se ai vetëm se e ka lehtësuar takimin mes partive shqiptare në Maqedoni dhe se nuk është përzier në punët e saj të brendshme.
“Miti se partitë shqiptare ndjekin platformë të nënshkruar në Tiranë u krijua në Shkup për arsye politike. Ajo është gënjeshtër, mit me shije të keqe e krijuar nga politika.
Sulmet ndaj platformës janë të rrezikshme pasi që ajo është politikë që nxitë ndasi dhe jo bashkim… ajo është puna e fundit që i duhet Maqedonisë, puna e fundit që të gjithë neve na është e nevojshme”, ka thënë Rama.
Ai gjithashtu ka thënë se Shqiptarët në Maqedoni kanë “të drejtë të plotë që të jenë të barabartë me maqedonasit” dhe se Platforma kërkon të drejta dhe liri të cilat janë të nënshkruara në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.










