Ndërsa bëri të ditur marrëveshjen e arritur me “Pfizer” dhe sigurimin e 500 mijë dozave të vaksinës, kryeministri Edi Rama i është kthyer edhe një herë çështjes së “përjashtimit” të Ballkanit nga BE, nga përfitimi i vaksinës anti Covid-19. Rama bëri të ditur se dy vende të BE-së, partnere të Shqipërisë kishin premtuar 9 000 doza të vaksinës dhe shprehu indinjatën ndaj Bashkimit Europian, duke thënë se si europian ndihej i turpëruar.
“Kemi garantuar edhe gatishmërinë e 2 vendeve partnere për një total prej 9000 dozash në gjysmën e parë të Janarit. Nuk mund t’i përmend emrat sepse sot nuk e dimë nëse marrëveshja e re me Pfizer do të ndikojë apo jo. Këto qeveri mike nuk ka lanë vetëm në këto kohëra cinizmi për kontinentin që jetojmë. Po negociojmë dy shtete të tjera për vaksina nga Pfizer dhe Astra Zeneca. Jam falenderues ndaj tyre sepse asnjëri as tjetri nuk hyjnë te më të pasurit e Europës. E kemi kapëcyer në kohë rekord hendekun e hapur në mes të Europës. Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si europian jam ndjerë i turpëruar. Ndërsa si kryeministër jam ndjerë më i motivuar se kurrë.
I hyjmë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tonë pa asnjë ndihmë nga BE. Ndryshe nga shembulli i keq nda Ballkanit ne nuk do ia kthejmë shpinën Kosovës. Nuk ia zgjidhnim dot krejt këtë hall të madh. Por nuk do të ngurojmë t’ua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi filluar të zgjidhim për vete. Kosovës do i dhurojmë një sasi për vaksinimin për bluzat e bardha në spitalin COVID në Prishtinë që ata që punojnë në vijën e zjarrit ta nisin menjëherë me ne. Sado që nuk jemi të pasur dhe as nuk kemi kaluar në këtë det, ne vazhdojmë të ecim”, tha Rama.









