Raste të montuara ndaj shqiptarëve në Maqedoni? IGFM i drejtohet BE-së

Kryetari i Nderit i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM-ISHR), Idriz Sinani, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, duke kërkuar rishikim të pavarur dhe transparent të disa rasteve gjyqësore të dyshuara si të montuara politikisht.

Në dokumentin e dërguar, Sinani kërkon rihapjen dhe rivlerësimin e rasteve të njohura si: “Monstra”, “Alfa”, “Brodec”, “Sopoti” dhe “Lagja e Trimave” në Kumanovë.

Sipas IGFM-ISHR, këto procese gjyqësore kanë prodhuar pasoja të rënda për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke ngritur dyshime serioze për shkelje të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.

Organizata u bën thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që, në përputhje me mandatin e tyre për mbikëqyrjen e sundimit të ligjit, të nxisin:
• rihapjen dhe rishikimin e pavarur të rasteve të përmendura,
• verifikimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore,
• si dhe garantimin e përgjegjësisë institucionale në rast të shkeljeve të konstatuara.

Në kërkesë theksohet se drejtësia e vonuar përbën drejtësi të mohuar dhe se vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të konventave ndërkombëtare mund të rikthehet besimi publik dhe të sigurohet stabilitet shoqëror. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu