Rasti Veliu, institucionet s’respektojnë Gjykatën (VIDEO)

Pavarësisht vendimit të prerë të Gjykatës Supreme dhe reagimeve të shumta, profesoresha Arjeta Veliu ende nuk është kthyer në vendin e saj të punës në shkollën e mesme ekonomike në Tetovë prej nga ishte larguar në vitin 2013. Ish-gjykatësja në Gjykatën Ndërombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg, vlerëson se në rast të tillë, personat që nuk zbatojnë vendimin e gjykatave duhet të mbartin përgjegjësi penale dhe civile.

Moszbatimi i vendimit gjyqësorë është punë shumë serioze. Ai që nuk e zbaton vendimin gjyqësorë mund t’i nënshtrohet përgjegjësisë penale por në të njëjtën kohë mund t’i nënshtrohet edhe përgjegjësisë civile nëse me moszbatim të vendimit i ka bërë dëm dikujt. –tha Margarita Caca Nikollovksa, Ish-gjykatëse në Gjykatën e Stasburgut.

Kodi penal, në nenin 377 pika dy, ka paraparë dënim me para ose burg deri në 3 vite për personin që nuk respekton vendimet e gjykatës. Drejtoresha e shkollës Ekonomike në Tetovë, Ramie Kurtishi, përmes një letre monolog që e dërgoi në redaksinë e Alsat ditë më parë, e quan të pazbatueshëm vendimin e Gjykatës Supreme, për kthim në punë të Arjeta Veliut. Kjo ka qenë arsyeja pse zonja Kurtishi ka kërkuar edhe rigjykim, kërkesë kjo e cila sipas informatave të Televizionit Alsat, është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme. Megjithatë, edhe pse nuk e respektoi vendimin e parë të organeve të drejtësisë, për çka edhe u dënua dy herë, drejtoresha thotë se do të zbatoj vendimin e dytë të Supremes, kur zyrtarisht do i kumtohet i njëjti.

Rrjedhimisht, unë uroj që Vendimi që do të risillet nga Gjykata Supreme, të jetë një Vendim përmbajtjesor, me udhëzim procedural, i pandikuar nga faktorë të jashtëm dhe përfundimisht të jetë i respektueshëm nga të dyja palët dhe i zbatueshëm në rrafshin juridiko-praktik, për shkak se, VENDIMI në të cilin thirreni Ju, edhe një herë e ritheksoj-është VENDIM I PAZBATUESHËM”.- theksoi Ramie Kurtishi, Drejtoresha e SHME “8 Shtatori”

Nga Gjykata Supreme, për Televizionin Alsat theksuan se bëhet fjalë për lëndë me epilog të plotfuqishëm.

Bëhet fjalë për lëndë që ka epilog të plotfuqishëm, për të cilën është formuar lëndë edhe në Gjykatën Supreme të RM-së. Vendimi është sjell më 13.12.2017, pas çka lënda është dërguar tek Gjykata e Apelit në Gostivar, më 06.02.2018.”– theksuan nga Gjykata Supreme.

Ish-gjykatësja e Strasburgut Nikollovska, vlerëson se në raste kur institucionet nuk marrin masat e duhura, atëherë duhet të mbajnë përgjegjësi për mos zbatim të vendimit gjyqësor.

Edhe organet shtetërore duhet të marrin masa, por të njëjtit nëse nuk marrin masa duke filluar nga personi përgjegjës e deri tek kulmi i atij sektori duhet të mbajnë përgjegjësi për mos zbatim të funksionit të tyre. Nëse shteti padrejtësisht nuk shfrytëzon instrumentet, kjo çështje mund të trajtohet edhe në aspekt të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, me nenin e gjashtë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se vendimi gjyqësor nuk është vetëm marrja e vendimit përfundimtar, por duhet të trajtohet dhe të ndiqet deri në zbatimin e plotë të tij. – tha Margarita Caca Nikollovksa, Ish-gjykatëse në Gjykatën e Stasburgut.

Arjeta u largua nga puna 5 vite më parë pikërisht atëherë kur mori vendim pune. Ajo beson se nga puna është larguar për shkaqe politike, megjithatë drejtoresha mohon një gjë tillë. Sektori për Arsim në Tetovë, mbanë të njëjtin qëndrim me drejtoreshën, duke thënë se do të presin dhe zbatojnë vendimin e dytë të Supremes, por pa komentuar të vendimin e parë dhe mosrespektimin e tij.

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu