27 qershori, dita kur pritet të ndodh takimi i rëndësishëm mes palës kosovare dhe asaj serbe për dialog dhe potencialisht marrëveshje po afron. Lidhur me takimin shkroi sot edhe Ambasada Amerikane që paralajmëroi hapje të dyerve për zhvillim dhe prosperitet ekonomik duke e cituar emisarin Grenell.
“Kjo mundësi e Shtëpisë së Bardhë i çelë dyert për zhvillim dhe investime të reja ekonomike. ShBA-ja shpreson që liderët në Kosovë dhe Serbi do ta kapin shansin e rikthimit në dialog që të fillojnë një periudhë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Populli i këtij rajoni nuk meriton asgjë më pak.” – ka thënë z.Grenell, i cituar nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë.
Një deklarim i tillë vjen pak ditë pasi Grenell kishte paralajmëruar “rikthim/mbetje në status quo” nëse të dyja palët nuk pajtoheshin në Washington më 27 qershor, përcjell Periskopi.
Por, çka na thotë ky reagim i ri për takimin e 27 qershorit dhe “status quo”-në?
Nëse status quo-ja, gjendja ekzistuese e gjërave në Kosovë dhe Serbi, dhe mes Kosovës e Serbisë, përfton dimension ekonomik (sipas deklarimit të Grenellit), atëherë kjo i shkon në favor të madh Serbisë dhe në dëm të madh Kosovës.
Serbia është raportuar që është bindshëm përfituesi më i madh i investimeve të huaja direkte, dhe deri në vitin e kaluar ka thithur 51 për qind prej tyre që janë destinuar për në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ( ku bëjnë pjesëSerbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria).
Madje, ishte kryeministrja serbe Ana Bërnabiq e cila në një forum në Londër ku kishte marrë pjesë edhe ish kryeministri Kurti, ishte lavdëruar për vendin e saj për një çështje të tillë.
Ajo kishte thënë që Serbia ishte shpallur dy herë kampione botërore për thithje të investimeve të huaja direkte në tri vitet e fundit.
Ish kryeministri kosovar, natyrisht, nuk kishte pasur se çka të thoshte për këtë temë.
Dhe është pikërisht çështja e investimeve dhe zhvillimit ekonomik ajo që po preket me forcë nga emisari Grenell.
Të kujtojmë që megjithë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të dekadës së fundit, Kosova mbetet një ndër vendet më të varfra në Evropë.










