Reagon zyra e BE’së në Kosovë, pas zgjedhjeve që u mbajtën në Podujevë

Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog e ka vlerësuar faktin se votuesit kanë dalur të votojnë sot në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, përkundër kufizimeve për shkak të koronavirusit. Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka lavdëruar edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“I vlerësoj votuesit që morën pjesë në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore në ditën e zgjedhjeve, edhe pse pati kufizime për shkak të COVID-19. Përfshirja aktive e qytetarëve është e rëndësishme për një proces të besueshëm zgjedhor dhe demokracinë. Punë e mirë është bërë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shkruan ai. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve në Podujevë, ndërsa Lista Serbe në ato që u mbajtën sot në Mitrovicën e Veriut.

Kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi ka fituar pa balotazh në komunën e Podujevës, duke marrë 51.64 përqind të votave. Bulliqi në këto zgjedhje pasohet nga Nexhmi Rudari i LDK’së, më 35.97 përqind, dhe PDK në vendin e tretë, ku Naim Fetahu mori 12.40 përqind të votave, raporton Gazeta Metro. Ndërkaq, Lista Serbe fitoi bindshëm në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë 89.86 përqind të votave, pasuar nga VV më 3.68 përqind, PDK më 3.54 dhe Dusan Milunovic 2.92 përqind.

Kujtojmë se komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut shpallën zgjedhjet pasi dy ish-kryetarët, Agim Veliu e Goran Rakic morën poste në Qeverinë Hoti. Zgjedhjet janë zhvilluar në kushte më ndryshe prej herëve të kaluara, duke marrë parasysh situatën me pandeminë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu