Real Madrid është në kërkim të një mbrojtësi të ri qendre, teksa synon të mbulojë largimin e pritshëm të David Alaba, si dhe mundësinë e largimit të Antonio Rudiger.
Në javët e fundit, madrilenët janë lidhur me emra si Ibrahima Konate dhe Nico Schlotterbeck, ndërsa tani një tjetër emër i është shtuar listës.
Më parë, Real Madridi kishte shfaqur interes të madh për William Saliba. Edhe pse ai nënshkroi një kontratë të re me Arsenalin në fillim të sezonit, në të ardhmen mund të hapet një mundësi që ai të përfundojë në “Santiago Bernabeu”.
Për momentin, megjithatë, fokusi nuk është tek ai, por tek partneri i tij në qendër të mbrojtjes.
Sipas TEAMtalk, Real Madridi ka bërë së fundmi një kërkesë për të mësuar mbi disponueshmërinë e Gabriel Magalhaes.
Braziliani ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Arsenalit gjatë 18 muajve të fundit, çka ka bërë që “Los Blancos” ta shohin si një opsion ideal për forcimin e repartit defensiv.
Megjithatë, gjasat për një marrëveshje janë shumë të vogla. Kërkesa e Real Madridit është refuzuar menjëherë, me Arsenalin që e ka bërë të qartë se një shitje nuk është e mundur për asnjë çmim.
Duke qenë se 28-vjeçari nënshkroi një kontratë të re afatgjatë verën e kaluar, liderët e Ligës Premier nuk janë nën asnjë presion për ta shitur, gjë që e bën shumë të vështirë një transferim të tij në kryeqytetin spanjoll./Telegrafi/










