Reali s’e duron më Viniciusin? Braziliani mund të gjobitet rëndë pas shpërthimit në “El Clasico”

Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, mund të përballet me një gjobë të majme pas reagimit të ashpër gjatë ndeshjes “El Clasico” kundër Barcelonës, e fituar 2-1 nga “Los Blancos” në “Santiago Bernabeu”.

Sulmuesi brazilian u zëvendësua nga trajneri Xabi Alonso në minutën e 71-të dhe reagoi me zemërim, duke bërtitur ndërsa ecte drejt stolit.

Kamerat televizive e kapën duke shqiptuar në portugalisht fjalët “shko pi*****”, ndërsa më pas, sipas mediave spanjolle, ai shtoi: “Gjithmonë unë, po largohem nga ekipi. Më mirë të iki”.

Sipas raportimeve të “AS” dhe “Marca”, sjellja e Vinicius mund të konsiderohet “shkelje serioze disiplinore” në bazë të rregullores së brendshme të Real Madridit që zbatohet që nga viti 2015. Ajo parashikon ndëshkim për “deklarata fyese apo të dëmshme ndaj klubit, drejtuesve, trajnerëve apo bashkëlojtarëve”.

Nëse gjendet fajtor, 25-vjeçari mund të gjobitet deri në 53 mijë euro dhe të pezullohet pa pagesë deri në 10 ditë. Shuma përcaktohet në raport me pagën e tij mujore, e cila llogaritet rreth 1.25 milionë euro bruto.

Aktualisht klubi nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare, por incidenti ka shkaktuar debat të brendshëm në “Valdebebas”. Një pjesë e drejtuesve kërkojnë masë disiplinore, ndërsa të tjerë mendojnë se çështja duhet zgjidhur në mënyrë private mes Alonso-s dhe lojtarit./Telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu