Reciprociteti i Kurtit: “Flakë për flakë” me Serbinë, trazime në Bruksel e Prishtinë

Edhe pse duhet të dorëzojë çelësat e qeverisjes pas vendimit të Kushtetueses, kryeministri ende në detyrë Albin Kurti trazoi sërish, vendas e ndërkombëtarë, pas një mase te rë reprociteti karshi Serbisë.

“Së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, është ajo çfarë ka vendosur qeveria në ikje “Kurti”.

Kanë pasuar reagimet e menjëhershme, përfshirë dhe të dërguarin Lajçak.

“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Reagoi presidenti Thaçi, duke pretenduar se kështu po cenohet partneriteti me SHBA-në dhe BE-në.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Reagoi dhe Abdullah Hoti, ai që bëhet gati t’i zërë vendin Kurtit në krye të qeverisjes.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, shkroi Hoti në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu