Lideri i Katalonjës, tha se krahina spanjolle fitoi të drejtën për të formuar shtetin e saj pas një referendumi kontradiktor që u trazua nga dhuna. Presidenti katalanas tha se tashmë është hapur dera që Katalonja të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë dhe festa në rrugë nuk ka munguar. Fjalët e Puigdemont u mbështetën edhe nga shifrat e votimit, pasi 90% e votuesve mbështetën pavarësinë.
Pjesëmarrja në referendum ishte 42,3%, një shifër që, sipas ekspertëve, ngre pikëpyetje për vlefshmërinë e tij, pasi nuk mori pjesë as gjysma e popullisë me të drejtë vote.
Këto shifra padyshim që nuk i bëjnë përshtypje qeverisë spanjolle, e cila tha se nuk e pranon referendumin që më herët, madje përdori edhe dhunën për ta ndaluar atë, megjithëse nuk ia doli dot. Duke zbatuar urdhërin e Gjykatës Kushtetuese, policia spanjolle përdori shkopat dhe plumbat e gomës kundër njerëzve që donin të votonin, duke plagosur mbi 800 prej tyre, si dhe sekuestroi kutitë e fletët e votimit në dhjetëra qendra votimi.










