Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar që në metodologjinë e re të regjistrimit të popullsisë, do të përfshihet edhe nje pjesë e regjistrimit në formë elektronike.
“Regjistrimi 2021 në Maqedoninë e Veriut do të realizohet me metodologjinë e re e cila për herë të parë do të zbatohet te ne, e cila në një pjesë përfshinë edhe regjistrimin elektronik. Ky model i kombinuar është i njohur në praktikat botërore dhe është në përputhje me rekomandimet e OKB-së dhe Eurostatit”, deklaroi Zaev.
Ai theksoi që do të ketë kryqëzim të të dhënave në terren në formë elektronike me të dhënat që tashmë ekzistojnë në MPB dhe në Fondin shëndetësore, ashtu që do të kemi pamje të plotë për të dhënat e nevojshme. Zaev vlerësoi që vetëm regjistrimi elektronik nuk do të mjaftonte për të pasur të dhëna të plota.
“Shembull, vetëm me regjistrim elektronik nuk mund të fitohet gjithë të dhënat e nevojshme për qytetarët jorezident, gjegjësisht qytetarët që janë jashtë më shumë se një vjet, ndërsa përfshihen në Regjistrimin për vitin 2021”, deklaroi Zaev, duke vlerësuar se Enti Shtetëror për Statistika i ka kapacitetet për të realizuar një Regjistrim të suksesshëm.









